Afro 2 vite pritje për të festuar në derbi. 7 ndeshje pa fitore dukeshin një përjetësi në shtëpinë e “djallit”, por fitojnë pikërisht atëherë kur më pak pritej, në momentin e tyre më të vështirë. Fonseca guxoi, ndryshoi skemë, në fund fiton dhe shpëton stolin e tij i cili ishte ndjeshëm në dyshim. Milano “vishet” kuqezi pas suksesit 2-1 në “San Siro”, një fitore e vendosur në limite, por ekipi i Fonseca-s dominoi rivalin e tyre në një 90-minutësh ku dukshëm ishin superior në çdo aspekt.
Derbi nisi me gol ku pas vetëm 10 minutash, Pulisic me një aksion fantastik personal depërtoi deri në zonë duke kaluar Milan në avantazh. Festa nuk zgjati shumë pasi Dimarco ideoi dhe më pas finalizoi me gol në zbritje të shpejtë në minutën e 28-të duke barazuar shifrat në 1-1. Dy ekipet zhvilluan një futboll të hapur ofensivë, me Milan që e kërkoi më shumë fitoren, por Leao dhe Abraham nuk u treguan të saktë në pasin final, kjo edhe për meritë të Sommer. Atëherë kur gjërat po shkon drejt fundit, në minutën e 89-të, Gabbia me kokë, gjatë zhvillimeve të një goditje dënimi, dërgoi topin në trekëndësh duke i dhuruar Milan fitoren. Asllani me shokë dolën me kokë poshtë në këtë derbi, me mesfushorin kuqezi që u aktivizua në minutën e 63-të duke i marrë vendin Calhanoglu-s, i vlerësuar me notë të ulët, 5,5.
“Inter në kafaz”, shkruan Corriere duke bërë lojëra fjalësh me emrin e Gabbia-s. “Milan në delir, Fonseca shpëton, Inzaghi 7 pikë më pas se sa në 2023”, shton ndër të tjera në faqen e parë për përditshmja italiane.