Një apartament u përfshi nga flakët mëngjesin e sotëm në kryeqytet. Ngjarja në fjalë u regjistrua në një prej banesave sociale, pallatet e ndërtuara nga Bashkia e Tiranës në zonën e Shkozë “BalkanWeb” ka siguruar pamje nga apartamenti, që ndodhet në katin e fundit, ku shihet se si shtëllunga të mëdha tymi dalin nga dritarja.
Mësohet se në banesë kanë qenë çifti i bashkëshortëve dhe 3 fëmijët e tyre, të cilët kanë shpëtuar mrekullisht dhe pa lëndime. Raportohet se zjarri si fillim kishte rënë në kuzhinë, për t’u përhapur më pas në të gjithë banesën.
Pasi u njoftuan për ngjarjen, forca zjarrfikëse mbërritën në vendin ku ra zjarri, ndërsa bëri të mundur shuarjen e tij. Po ashtu ‘BalkanWeb’ mëson se brenda apartamentit është shkrumbuar gjithçka. Deri më tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes në fjalë.
(ed.me/BalkanWeb)