Në ditët e sotme nuk shihni shpesh diçka me të vërtetë ndryshe sa i përket dizajnimit të kamerave, ndryshimet e vetme që bëhen janë në rritjen e megapikselëve ose ndryshimi në kapjen e hapësirës, ndërsa në thelb e kanë idenë e njëjtë të modelimit.

Por, një kamerë krejtësisht ndryshe ka krijuar kompania Light, e cila ka bashkuar 16 kamera në një trup të vetëm, transmeton Koha.net shkrimin e “The Verge”.

Kamera e quajtur L16 ka pamjen e një telefoni të mençur me ngjyrë të zezë, kurse në pjesën e sipërme posedon një buton me ngjyrë argjendi. Themeluesi i Light, Rajiv Laroia, këtë teknologji të re e quan “revolucion i heshtur”.

Nevoja për të vënë kamera të cilësisë së lartë në telefona të mençur, procesi i miniaturizimit në modulet e kamerave me lente plastike të cilësisë së lartë, ka shtyrë kompaninë që të krijojë një kamerë të tillë.

Light e sheh këtë kamerë si zëvendësim të DSLR-së, diçka që ju mundëson ta mbani me vete pa pasur nevojë që të keni lente shtesë dhe pajisje të tjera.

Pas secilës prej këtyre lentave plastike është një modul i kamerës prej 13 megapixel. Pesë kamera janë module 35 mm, pesë me 70 mm dhe gjashtë të tjera me 150 mm.

Për të bërë që të gjitha këto kamera të përshtaten, moduli i 70 mm dhe ai i 150 mm, shfrytëzojnë atë që njihet si “optikat e palosura”, kur një pasqyrë është përballë optikës dhe sensorit i cili shtrihet pingul në drejtimin që jeni duke fotografuar.

Në anën e pasme të L16 është një ekran i ndjeshëm në prekje prej 5 inç, dhe kjo është ajo që iu mundëson të zgjidhni dhe të kontrolloni të gjitha ndryshimet në fokus.

L16 gjithashtu mund të marrë informacionet nga të gjitha imazhet dhe të krijojë një imazh me rezolucion të lartë deri në 52 megapikselë. Imazhe mjaft të mira mund të krijohen edhe në dritë të ulët, kurse mundëson që të zgjedhni edhe fokusin pasi të kryhet fotografimi.

Kjo kamerë mund të paraporositet tani për 1144 euro, kurse në treg do të lansohet në vitin 2016.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: