Partia Socialiste kremtoi një ditë më parë përmes një feste të veçantë, 33-vjetorin e themelimit. Në oborrin e selisë, përveç kryeministrit Edi Rama, ministrave e deputetëve, u mblodhën edhe anëtarë e senatorët themelues të kësaj force politike. Një prej figurave të së majtës, ish-deputet dhe ministër për disa mandate Prof.Dr.Ethem Ruka, Rektor i Universitetit Luarasi, ka qenë i ftuar mes themeluesve të tjerë.
Një takim miqësor dhe i ngrohtë ka qenë takimi i tij me kryeministrin Edi Rama, siç duket edhe nga pamjet që sjell BalkanWeb. Rama dhe Ruka kanë ndarë mjaft momente bashkëpunimi me njëri-tjetrin dhe ish-ministri ka qenë ndër kontribuuesit kryesorë për rikthimin e të majtës në pushtet 11 vite më parë por edhe mjaft momenteve të tjera që janë të shenjuara në historinë e socialistëve.
Partia Socialiste, në pushtet prej tre mandatesh, pohuan disa nga anëtarët themelues të pranishëm, është forca politike më e fortë në historinë e vendit, duke theksuar se “në ADN-në e saj është përmirësimi i vazhdueshëm”.
(BalkanWeb)