Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan kanë inauguruar zyrtarisht xhaminë e Namazgjasë në Tiranë. Të dy liderët, të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, Linda Rama dhe Emine Erdogan kanë prerë shiritin në shenjë simbolike të inaugurimit të këtij objekti.
Xhamia e Namazgjasë u inaugurua ditën e sotme, teksa kreu i shtetit turk erdhi në Shqipëri për një vizitë zyrtare.
Me hapjen e saj xhamia e Namazgjasë është objekti më i madh i këtij lloji në rajonin e Ballkanit, duke zënë një hapësirë prej 10 mijë metrash katrorë. Xhamia arrin të akomodojë rreth 10 mijë besimtarë gjatë ritualeve fetare të fesë islame.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së inaugurimit, kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin e presidentit turk “për ndërtimin e këtij tempulli që sipas tij do të jetë një nyjë për lidhjen e pazgjidhshme mes dy popujve”.
“Faleminderit dhe mirënjohje president i Turqisë miku im. Në këtë shtëpinë tonë të vogël ku ka banesa të shumta për përkushtimin tënd vëllazëror duke u bërë thirrje zëri i tyre. I dha myslimanëve mjetet e nevojshme për ndërtimin e xhamisë. E cila do flasë për lidhjen e pazgjidhshme mes dy popujve“, tha Rama.
Nga ana tjetër, kreu i shtetit turk, Erdogan e quajti simbol të miqësisë vëllazërisë dhe solidaritetit mes Shqipërisë e Turqisë Xhaminë e Namazgjasë e cila është më e madhja në Ballkan.
“Xhamia e Namazgjasë do të jetë simbol të miqësisë vëllazërisë dhe solidaritetit mes nesh. Xhamia e Namazgjasë është ndërtuar jo vetëm si një objekt kulti, adhurimi por është menduar multifunksionale që do i shërbejë besimtarëve në çdo aspekt, duke e menduar si një kompleks social ku brenda saj ka sallën e konferencës, bibliotekën dhe dhoma studimi dhe ashensorë për të gjithë ata që janë me aftësi të kufizuara. Ne synojmë të pasqyrojmë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë nën moton e muzeut të bashkëjetesës së kulturave ballkanike që ndodhet brenda kompleksit të xhamisë”, tha Erdogan.
Presidenti turk tha se “xhamia ishte dhuratë e popullit turk për motrat dhe vëllezërit e tyre myslimanë në Shqipëri, me mbështetjen e entit tonë të çështjeve fetare dhe fondacionit tonë fetar, Diyanet”.
(BalkanWeb)