ELBASAN- Një e moshuar është shkrumbuar nga zjarri mbrëmjen e sotme në Elbasan pasi baraka ku jetonte është përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “5 Maji” në qytetin e Elbasanit, ku 80-vjeçarja Mike Zenollari jetonte me një vajzë me aftësi të kufizuara dhe mbesën në një barakë prej druri që prej vitit 1997, e braktisur edhe nga shteti. Gazetari Fatmir Popja ka siguruar fotot nga vendi i ngjarjes, ku pasi zjarri shkrumboi gjithçka kanë mbetur vetëm disa tenxhere, filxhanë e xhevze.

Sipas policisë, dyshohet se baraka është përfshirë nga flakët si pasojë e një pakujdesie dhe zjarri ka qenë i përmasave të mëdha. E moshuara nuk ka mundur të dalë dot nga banesa dhe ka gjetur vdekjen.

Fqinjët e saj të komunitetit rom thanë për News24 e BalkanWeb se banesa e të moshuarës ishte djegur edhe njëherë më parë. Ata i kishin kërkuar kryetarit të Njësisë Administrative t’i bënte një dhomë për të futur kokën, por megjithëse iu kishte premtuar, asgjë nuk ishte bërë.

“Është djegur njëherë banesa e saj. I thamë kryetarit ‘o zoti kryetar bëji një dhomë plakës të fusë kokën’. ‘Do t’i bëj, do t’i bëj’ dhe asgjë nuk bëri. Tani u dogj edhe vetë plaka”, thanë banorët.

Ata kanë treguar se 80-vjeçarja jetonte me vajzën me aftësi të kufizuara dhe mbesën por askush nuk kujdesej për të. “Jetonte e vetme. Nuk kujdesej asnjëri për të. Jetoni duke lypur. Kur baraka ka marrë flakë vajza kishte dalë për të blerë bukë dhe kishte lënë qumështin në zjarr. Plaka nuk i ka parë flakët, ne e lajmëruam policinë”, u shprehën banorët.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: