NGA IV KALOÇI*

Sot “Gazeta Shqiptare” boton 24 foto duke u përpjekur që të hedhë sadopak dritë në kronologjinë e historisë famëkeqe 48-vjeçare të Sigurimit të Shtetit. Në fotot e periudhës 1945-1991 tregohet qartë natyra dhe karakteri represiv i kësaj arme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila u përdor nga diktatori Enver Hoxha për të ruajtur pushtetin personal të tij dhe njëkohësisht për të shtypur çdo lloj forme të opozitës ndaj tij. Në këto 24 foto kemi paraqitur disa nga ngjarjet më kryesore ndër vite, të cilat do ta kthenin këtë institucion në një nga emrat më të tmerrshëm për vetë popullin shqiptar, të cilin ai ishte krijuar që ta mbronte.

Veprimtaria e Sigurimit në celuloid
Revolta e Koplikut. Rreth dy muaj e gjysmë pas hyrjes së qeverisë së Enver Hoxhës në Tiranë, do të niste edhe sinjali i parë i rezistencës antikomuniste në një nga krahinat më të goditura deri në atë kohë nga regjimi i Tiranës. E ashtuquajtura Revolta e Koplikut në Malësinë e Madhe do të kategorizohej jo vetëm si një ndër lëvizjet e para antikomuniste në territorin shqiptar, por në të gjithë bllokun lindor.

Fushata e ashpër e forcave partizane në Shqipërinë e Veriut gjatë fundit të vitit 1944 do të ishte tejet brutale, sidomos në dy nga krahinat më konservatore të këtij rajoni, Malësinë e Madhe dhe Mirditën. Duke marrë shkas nga natyra e ashpër e raprezaljeve të forcave komuniste sidomos në Malësinë e Madhe, për shkak të mosmbështetjes që kjo krahinë do t’i bënte Lëvizjes Nacionalçlirimtare e ndikuar fuqimisht edhe nga kleri katolik e një sërë krerësh lokalë, por me influencë tepër të madhe jo vetëm në Koplik, por edhe më tej, do të ndërmerrnin një nga hapat më të guximshëm për kohën. Zhvillimin e një kryengritjeje të armatosur ndaj sistemit komunist të Enver Hoxhës.

Kjo kryengritje do të frymëzohej dhe udhëhiqej nga dy krerët më të rëndësishëm të nënprefekturave rebele të Malësisë së Madhe, Preng Cali (i Dukagjinit) dhe Llesh Marashi (i Kelmendit). Sulmi i armatosur i 23 janarit 1945 ndaj kazermave të forcave partizane në Koplik do të alarmonte ndjeshëm Enver Hoxhën, pasi kjo do të ishte gjithashtu sfida e parë direkte që u bëhej reparteve të krahut të armatosur të regjimit komunist të Tiranës, Sigurimit të Shtetit. Rreth 5 njësi ushtarake të të ashtuquajturit Divizionet e Mbrojtjes së Popullit për Veriun e Shqipërisë të komanduara nga Zoi Themeli do të niseshin ngutshëm nga Shkodra në drejtim të veri-perëndimit për të shtypur kryengritjen.

Por ajo nuk do të zgjaste veçse 24 orë, pasi të ndihmuara edhe nga forcat partizane jugosllave të cilat në rast përshkallëzimi bllokuan kufirin, repartet e Sigurimit të Shtetit arritën që ta shtypnin me forcë këtë revoltë dhe të hynin lirisht deri në skajin më verior të Vermoshit. Pasojat do të ishin të rënda për të dyja palët. Forcat partizane patën 40 të vrarë dhe 50 të plagosur ndërsa ato antikomuniste, 45 të vrarë dhe 25 të plagosur. Në foton në fjalë shihet qartë një nga krerët kryesorë të kryengritjes, Lesh Marashi, i cili do të shëtitej në mënyrë demonstrative në sheshin e Koplikut nën shikimin kërcënues dhe fyes të oficerëve dhe ushtarëve të DMP-së. Pas një gjyqi të shkurtër në kinema “Rozafa” të qytetit të Shkodrës, ai së bashku me Calin dhe 12 të tjerë do të pushkatoheshin publikisht. Ky do të ishte edhe paralajmërimi i parë për çdo lloj forme rezistence që do të tentonte të cenonte sadopak skeptrin e pushtetit të Hoxhës.

Revolta e Postribës. Pas dështimit të revoltës së Koplikut, një tjetër revoltë do të shpërthente sërish në malësinë e Shkodrës, kësaj here në zonën e quajtur Postribë vetëm 12 km larg qytetit të Shkodrës. Shija e hidhur e terrorit të Brigadave të Sigurimit të Shtetit në Malësinë e Madhe do të nxisnin sërish lëvizjen antikomuniste në Postribë për të zhvilluar një kryengritje të dytë të armatosur. Por ndryshe nga e para, kryengritja e Postribës, e cila do të siguronte edhe përkrahjen e heshtur morale të Klerit katolik të Shkodrës dhe misioneve anglo-amerikane të stacionuara në Tiranë, kishte si qëllim diskretitimin e plotë diplomatik të delegacionit shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha në Konferencën e Paqes në Paris, pas një klime të nderë ndërmjet Tiranës zyrtare dhe Athinës, e përkrahur nga Londra dhe Uashingtoni.

Të vetëdijshëm për rrezikun që i priste, organizatorët e kësaj revolte Jup Kazazi (për Shkodrën) dhe Dedë Shabani (për Lezhën dhe Zadrimën) së bashku me një numër relativisht inferior krahasuar me repartet e DMP-së do të arrinin të krijonin trazira dhe të mbanin totalisht të bllokuar për disa orë rresht rrugën nacionale Lezhë-Shkodër në 9 shtator 1946. Enver Hoxha që nga Parisi do të arrinte të menaxhonte situatën dramatike që po ndodhte kësaj here në Shqipëri, duke urdhëruar ministrin e Brendshëm, Koçi Xoxen dhe shefin e Sigurimit për Veriun, Zoi Themelin që brenda dy ditëve ta shtypnin me egërsi të pashembullt kryengritjen e Postribës.

Sërish brigadat dhe Divizionet e Mbrojtjes së Popullit do të niseshin nga Shkodra, Durrësi dhe Tirana në drejtim të Postribës dhe Zadrimës, duke shtypur kështu këtë revoltë ironikisht brenda 24 orësh, ashtu siç ndodhi në rastin e Koplikut. Imazhi në fjalë tregon kufomën e Jup Kazazit (i cili do të kryente vetëvrasje) të shtrirë në sheshin e Postribës dhe ushtarët e DMP-së, të cilët pozojnë duke qeshur para trupit të tij. Vetë Dedë Shabani dhe disa krerë të tjerë të rëndësishëm të lëvizjes do të ekzekutoheshin dy javë më vonë pas një gjyqi të shkurtër formal. Mesazhi kësaj radhe do të ishte tejet i qartë. Çdo lloj forme kryengritjeje paqësore ose e armatosur do të shtypej me egërsinë më të madhe nga regjimi i Tiranës, i cili kishte shndërruar në tabu edhe shprehjen më të vogël të rezistencës ndaj saj. Ndërsa mënyra propagandistike e pozimit të forcave të Sigurimit para eksponentëve antikomunistë të kapur ose të vrarë do të konsiderohej një praktikë “normale” në vitet e mëvonshme për t’i demonstruar në mënyrë të qartë popullit shqiptar se kush ishte fituesi dhe kush quhej humbësi.

Tatimfitimi i jashtëzakonshëm.

Ardhja në pushtet e regjimit të Enver Hoxhës u shoqërua që në ditët e para me një fushatë të egër hakmarrjeje dhe spastrimi politik ndaj elementëve të dyshimtë antikomunistë, siç klasifikoheshin kundërshtarët e forcave të majta. Por eliminimi dhe spastrimi fizik i tyre nuk do të kuptohej pa goditjen në aspektin ekonomik. Rëndësia që kishte goditja ekonomike ndaj të ashtuquajturave “klasa të përmbysura” për qeverinë komuniste do të ishte tejet e rëndësishme për ta, pasi njëkohësisht forcohej pozita ekonomike e qeverisë së sapokrijuar dhe më pas i jepej gjithashtu kolpoja finale pozitave të forta ekonomike që karakterizonte këtë shtresë deri në vitin 1945. Më 1 janar 1945, Tirana zyrtare do të shpallte kështu ligjin e famshëm mbi “Tatimfitimin e jashtëzakonshëm të luftës”.

Ky ligj do të përcaktonte qartë masat e ashpra drakoniane që regjimi komunist do të vendoste mbi tregtarët dhe sipërmarrësit e shtresave të larta që asokohe mbanin balancën e zhvillimit ekonomik të vendit. Ligji ishte i qartë, çdo tregtar dhe sipërmarrës duhet të deklaronte brenda 10 ditëve të gjithë fitimin që nga data 7 prill 1939 deri në 31 dhjetor 1944. Nëse nuk e deklaronin, trojka e përfaqësuesve të Këshillit të Rinisë, Ministrisë së Financave dhe Bankës Kombëtare vendoste automatikisht gjobën, e cila përfshinte rreth 85 për qind të masës së fitimit ekonomik. Nëse kjo po për 10 ditë nuk paguhej, atëherë organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme kryenin menjëherë arrestimin e tregtarëve dhe sekuestrimin e plotë të mallit.

Shifrat e gjobave ndaj tregtarëve do të ishin marramendëse sipas dokumenteve të kohës dhe ato do të ishin praktikisht të pamundura për t’u shlyer në kohë. Për këtë arsye, organet e Sigurimit të Shtetit dhe MPB-së do të ishin tejet të ashpra në mënyrën e zbatimit të këtij ligji famëkeq. Me dhjetëra tregtarë dhe sipërmarrës do të arrestoheshin dhe torturoheshin në ambientet e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës nga eksponentët e Sigurimit me pretekstin e fshehjes së pasurisë dhe mallrave të tyre. Mjaft prej tyre do të humbnin jetën tragjikisht. Sipas të dhënave të përshkruara në një artikull në revistën e Ministrisë së Brendshme “Në shërbim të popullit” të vitit 1990, deklarohet se organet e Sigurimit sekuestruan gjithsej rreth 5 ton ar të pastër nga të gjitha familjet e pasura shqiptare. Por të dhënat e mëvonshme do ta paraqisnin këtë shifër shumë më të lartë. Në foton në fjalë paraqitet një tregtar i pasur tiranas duke ekspozuar pasurinë e tij në ambientet e oborrit të Hetuesisë së Tiranës, i shoqëruar nga një efektiv i policisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Bashkimi Demokristian. Një nga fushatat më të ashpra të regjimit komunist përgjatë gjithë ekzistencës së tij 48-vjeçare do të ishte padyshim edhe lufta kundër religjionit në përgjithësi dhe Klerit katolik në veçanti. Revolta e Koplikut e kishte tronditur pa masë Tiranën zyrtare, e cila kësaj here kishte vendosur që të ndëshkonte “në mënyrë shembullore” një pjesë të mirë të elitës intelektuale të Shkodrës. Në 23 shkurt të vitit 1946 do të niste i ashtuquajturi gjyqi i grupit Bashkimi Demokristian, i përbërë prej rreth 40 vetash, të gjithë katolikë të akuzuar se në bashkëpunim me misionet anglo-amerikane dhe Vatikanin kishin nxitur Revoltën e Koplikut dhe po përgatiteshin që të krijonin të tjera trazira në rajonin e Malësisë së Shkodrës.

Por akuzat më të rënda të prokurorit Aranit Çela do të binin mbi tre nga klerikët më të njohur dhe më të arsimuar si Padër Giovanni Faustin, Padër Daniel Dajanin dhe Padër Gjon Shllakun. Ligjet e ashpra komuniste të kohës nuk do tua falnin kurrsesi simpatinë që kleri katolik pati për italianët dhe gjermanët gjatë kohës kur këta të fundit ishin në Shqipëri. Edhe pse një pjesë e mirë e klerikëve nuk ishin përzier me politikë dhe aq më tepër që kishin ardhur në Shqipëri pas vitit 1943, shumica prej tyre do të ekzekutoheshin. Nga 40 të akuzuar, Dajani, Shllaku, Fausti dhe 3 të tjerë do të dënoheshin me vdekje, ndërsa pjesa tjetër do të vuante periudhën e gjatë të burgosjeve deri në fundin e sistemit. Imazhi në fjalë paraqet Padër Gjon Shllakun, Daniel Dajanin dhe Giovanni Faustin gjatë dhënies së vendimit me vdekje nga gjykatësi Mustafa Iljazi në shkurt të vitit 1946. Kulmi i gjyqeve ndaj klerit katolik do të arrinte një vit më vonë, pasi i dërguari i Sigurimit për Shkodrën, Pjerin Kçira do të deklaronte se me urdhër të hierarkëve të lartë të MPB-së, ai dhe të tjerët kishin hyrë natën fshehurazi në altarin e kishës ku kishin futur armë dhe municione. Gjyqi u ndërpre në çast dhe Kçira u pushkatua për dekonspirim.

Policia popullore.
Instalimi i regjimit komunist në Shqipëri dhe dinamika e vrullshme e zhvillimit të Shërbimit Sekret Shqiptar (Sigurimit të Shtetit) do të çonte padyshim në nevojën e menjëhershme për krijimin e një strukture organizative për zbatimin sa më rigoroz të vendimeve penale të shtetit shqiptar. 14 maji i vitit 1945 do të shënonte edhe themelimin e armës më të frikshme dhe më represive të MPB-së, institucionit të policisë. E quajtur ndryshe dhe si Policia Popullore, policia e shtetit komunist shqiptar sipas dokumenteve të klasifikuara të kohës, vetëm gjatë viteve 1945-1950 do të ishte përgjegjëse për arrestimin dhe torturimin e rreth 20.000 vetëve (shifër rekord për një periudhë 5- vjeçare).

Si ambiente për zyrat e Degëve të Brendshme (rajoneve të policisë), do të shërbenin vilat luksoze të sekuestruara familjeve të pasura dhe ish-zyrtarëve të regjimit të monarkisë. Ironikisht në këto ambiente do të humbnin jetën edhe mjaft prej këtyre individëve të etiketuar si “Armiq të popullit”, të cilët kishin jetuar dhe punuar deri në vitin 1944. Fotoja përkatëse paraqet disa nga eksponentët më të lartë të Policisë Shqiptare të viteve 1945-1950. Në qendër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Namik Xhafa dhe anash tij (i treti nga e majta, Sali Ormëni, zv/drejtori i Përgjithshëm i eliminuar në mënyrë misterioze në Gjinar të Elbasanit në vitin 1951).

Varësia ndaj jugosllavëve. Padyshim që ndihma më e madhe morale dhe materiale për forcat e Sigurimit të Shtetit do të vinte nga homologët e tyre jugosllavë të OZNA-s (më vonë UDB), të cilët në periudhën 1944-1948 do të ishin edhe iniciatorët kryesorë të ngritjes dhe perfeksionimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të shumtë do të ishin edhe këshilltarët jugosllavë që do të vendoseshin në çdo zyrë të ministrive të shtetit shqiptar. Vetë ministri i Brendshëm, Koçi Xoxe do të paraqitej si bashkëpunëtori më i afërt i jugosllavëve, gjë që në vitin 1949 pas një gjyqi të shkurtër, por të bujshëm, do t’i kushtonte edhe humbjen e jetës. Varësia e Hoxhës ndaj emisarëve të Titos do të ishte e madhe, ashtu siç shihet edhe në këtë foto.

Dy nga emisarët e OZNA-s për Sigurimin e Shtetit, gjeneralët Safet Filipoviç dhe Vojo Biljanoviç do të qëndronin përkrah Hoxhës dhe një tjetri eksponenti të rëndësishëm të Sigurimit, Kristo Themelkos, në paradën e festave të nëntorit në vitin 1946, në tribunën e hotel “Dajtit”. Një dokument i rëndësishëm i bërë publik pas viteve ’90-të tregon një të dhënë tepër tronditëse. Të dërguarit e Beogradit merrnin pjesë në seancat e torturave që punonjësit e Sigurimit zhvillonin në qelitë e hetuesive ndaj kundërshtarëve të tyre.

Gjyqi i Koçi Xoxes.
Maji i vitit 1948 do të sillte edhe ndërprerjen përfundimtare të marrëdhënieve politike ndërmjet Tiranës dhe Beogradit, pasi Stalini e kishte përjashtuar Jugosllavinë nga blloku lindor. Kjo do të ishte një mundësi e artë për Enver Hoxhën që “t’i lante duart përfundimisht” me grupimin filo-jugosllav të Byrosë Politike dhe Ministrisë së Brendshme të kryesuar nga Koçi Xoxe. Vetë Xoxe do të arrestohej në shtator të 1948-ës, pas një mbledhjeje të inskenuar kundër tij në qytetin e Korçës.

Disa nga drejtorët më të lartë të Sigurimit si Vaskë Koleci, Pandi Kristo, Vangjo Mitrojorgji dhe Thoma Karamelo do të arrestoheshin në të njëjtën kohë më Xoxen, duke i hapur vendin automatikisht grupimit “filo-sovjetik” të Sigurimit të përfaqësuar nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Ashtu siç duket edhe në foton përkatëse vetë, ministri i Brendshëm, Koçi Xoxe, do t’u nënshtrohej seancave të torturave në hetuesi së bashku me kolegët e tij. Gjyqi ndaj Xoxes do të drejtohej nga Frederik Nosi dhe prokuror Bedri Spahiu. Seancat do të zhvilloheshin në ambientet e burgut 313 për arsye sigurie.

Koçi Xoxe do të akuzohej si “agjent i jugosllavëve” dhe do të ekzekutohej në qershor të vitit 1949-ës, ndërsa pjesëtarët e tjerë do të dënoheshin nga 5 deri në 15 vjet burg. Me mbylljen e periudhës së terrorit të madh të viteve 1944-1948 dhe me eliminimin e grupit të Koçi Xoxes, Enver Hoxha do ta spastronte në mënyrë të hekurt të gjithë strukturën e Sigurimit të Shtetit, duke ia atribuuar të gjitha krimet e atyre viteve grupit “filo-jugosllav”, duke çliruar nga të gjitha përgjegjësitë figurën e tij.

Provokacionet e gushtit. Gushti i vitit 1949 do të rezultonte tejet i nxehtë për shtetin shqiptar, pasi në një rreze prej 271 km të kufirit shqiptaro-grek nga Prespa deri në Qafë-Botë, forcat qeveritare greke të gjeneralit Papagos në 2 gusht do të sulmonin frontalisht territorin dhe repartet kufitare shqiptare, me pretekstin e ndihmës që komunistët shqiptarë u ofronin homologëve të tyre guerilas grekë të gjeneralit Markos Vafiadhis gjatë Luftës Civile Greke. Aq alarmante do të ishte kjo situatë, saqë Enver Hoxha (asokohe kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes) do të dërgonte në zonën e Korçës për inspektimin e reparteve kufitare vetë Mehmet Shehun (ministër i Brendshëm).

Përleshjet e vazhdueshme ndërmjet forcave ushtarake shqiptare dhe atyre greke do të vazhdonin për ditë me radhë dhe humbjet do të ishin tejet të rënda për të dyja palët. Trupat shqiptare patën rreth 60 të vrarë (30 prej të cilëve vetëm në fshatin e Vidohovës) dhe 200 të plagosur, ndërsa ushtria greke pati 250 të vrarë dhe 500 të plagosur pa përmendur të humburit dhe robërit. Luftimet do të përshkallëzoheshin deri në përdorimin e avionëve, artilerisë me napalm dhe përleshjeve fizike ndërmjet kufitarëve shqiptarë dhe atyre grekë.

Por fitorja do t’i buzëqeshte ushtrisë shqiptare, e cila do të kishte edhe rastin e parë dhe të vetëm të përballjes direkte në luftime frontale ndaj një ushtrie tjetër. Imazhi përkatës paraqet ushtarët e forcave kufitare shqiptare, të cilët po vëzhgojnë një hartë të operacioneve luftarake. Luftimet sporadike do të vijonin deri në shkurtin e vitit 1950, por grekët nuk do të guxonin më të ndërmerrnin një sulm ushtarak të kësaj shkalle në drejtim të kufirit shqiptar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: