TIRANE – Mentaliteti është pasaporta e një shoqërie, ajo ç’ka e bën atë të dallohet nga një tjetër, por shumë i vështirë për t’u ndryshuar. Këtë e vëmë re çdo ditë në rrugët dhe trotuaret e Tiranës, ku për shkak edhe të një mentaliteti të prapambetur oriental, tregtarë të ndryshëm vijojnë të sfidojnë përpjekjet e institucioneve shtetërore për të vendosur rregull, duke shitur aty çdo lloj produkti, që nga peshku e bulmeti e deri te perimet, frutat apo rrobat e përdorura, ndërkohë që tregjet e bashkisë qëndrojnë bosh.

Një fenomen ky që përbënë një problem, jo vetëm estetik për një vend që kërkon të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane, por më së shumti edhe një rrezik për sigurinë e produkteve ushqimore që shiten jashtë çdo kushti dhe kontrolli. Ndaj për këto arsye, Bashkia e Tiranës dhe punonjësit e Policisë Bashkiake kanë qenë të angazhuar çdo ditë për ta luftuar këtë fenomen dhe për t’ia rikthyer rrugët dhe trotuaret qytetarëve, ndonëse shpesh herë kanë rënë preh e histerisë së individëve të ndryshëm.

E njëjta gjë ndodhi pak ditë më parë edhe me tregtarët në zonën e Institutit Bujqësor në Kodër – Kamëz, të cilët refuzonin të lironin trotuaret, ndërsa qytetarët, të moshuarit apo nënat me fëmijë duhet të kalonin në rrugën e makinave. Por falë vendosmërisë së Bashkisë Tiranë për të qenë përçuese e mentalitetit perëndimor, ashtu si shumë hapësira dhe trotuare në gjithë Tiranën, edhe ato të Kodër-Kamzës janë liruar. Tregtarët pranuan të hyjnë në treg dhe banorët siç shihet edhe në foto shijojnë trotuaret edhe në bastionin e fundit të zaptuar në Institutin Bujqësor në Kodër-Kamëz.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: