TIRANE- Një set i rrallë fotografish është realizuar së fundi nga fotografi i mirënjohur Roland Tasho. Tasho ka fotografuar me kostume popullore shqiptare mjaft personazhe të huaj, personalitete të njohur të fushës së politikës, artit e sportit. Fotografi rrëfen për “BalkanWeb”, se ka bërë pjesë të albumit të tij emra të njohur, të cilët kanë pranuar idenë e fotografimit me kostumet kombëtare shqiptare. Ky projekt, që lindi si ide para 16 vitesh, pritet te pasurohet edhe me të tjera personazhe që dëshirojnë të fotografohen me veshje shqiptare.
Fotografi te rralla janë realizuar nga mjeshtri i fotografisë, Roland Tasho, i cili përmes punës së tij ka synuar gjithmonë të promovojë vlerat dhe traditën shqiptare. Objektiv i aparatit fotografik të Roland Tashos këtë herë janë bërë figura të huaja, personalitetet të diplomacisë, politikës, sportit e artit të cilët mbajnë veshur kostumet popullore shqiptare të të gjitha trevave. Në këtë album fotografik do të shihni ambasadorë, politikanë, figura të sportit e qartit, siç nuk i keni parë ndonjëherë. Ata janë bërë pjesë e albumit të Roland Tashos, të cilin e prezanton për herë të parë për News24 dhe “BalkanWeb”.
Ambasadorë, albanologë, diplomatë e artistë kanë pranuar idenë e fotografimit me kostumet kombëtare shqiptare, e nuk kanë hezituar të bëjnë përzgjedhjet e tyre, por sigurisht, vetë Tasho ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm duke sugjeruar kostumet, vendet e fotografimit dhe njëherësh duke i bërë këta personalitete të ndihen komodë përpara objektivit të tij.
Mbi 100 është numri i personaliteteve të huaja që kanë hequr kostumet elegante dhe kanë veshur fustanellat, qeleshet, xhubletën. De Biazi, Rikardo Koçante, Bruno Vespa ambasadori Sequi, presidenti kroat e shumë të tjerë kanë pozuar duke marrë si kujtim foto të papërsëritshme. Duke parë albumin fotografik vërejmë se emra të rëndësishëm kanë pozuar vetëm, por disa prej tyre kanë dashur të përfshijnë edhe familjarët. Të huajt me kostume shqiptarësh, ishte një ide që lindi para 16 vitesh, një projekt që u zhvillua me përkushtim, bashkëpunim dhe dashamirësinë e të gjithë atyre që janë bëre pjesë, pritet të përfundojë së shpejti, e që do të shërbejë për të gjithë të pasionuarit pas artit të fotografisë.
(ed.me/News24/BalkanWeb)