NGA XHENSILA KODRA*

“Bahria erdhi të më kërkonte ndihmë që të shuanim flakët e zjarrit që i kapluan shtëpinë. U munduam ta shuanim me kova me ujë. Por, a shuhej gjithë ai zjarr? Flakët po na përpinin edhe neve brenda. I thashë që e kemi të pamundur, sepse edhe zjarrfikësja nuk erdhi në kohë, por ajo më tha se do të luftonte deri në fund me zjarrin derisa të shpëtonte djalin që i kishte ngelur brenda në ballkon”. K

ështu e nis rrëfimin e saj komshia e familjes Nezha, e cila dy ditë më parë humbi djalin e mitur nga zjarri që u përpiu banesën në katin e shtatë të një pallati në zonën e Unazës së Re. Me sytë e skuqur e të enjtur, gruaja tregon për “Gazeta Shqiptare” se Bahria kishte qenë në tualet duke larë vajzën e vogël vetëm 7 muajshe, ndërsa djali ndodhej në kuzhinë.

“Dëgjova dikë që thërriste me të madhe ‘Ndihmë! Ndihmë! Më ndihmoni djalin’. Dola dhe pashë se Bahria mbante në krahë vajzën, të cilën sapo ia la një komshieje tjetër për të hyrë sërish në banesë”, tha ajo. Ndërsa një banore tjetër e lagjes shprehet për “GSH” se vogëlushin e kujton vetëm të qeshur. “Ishte një fëmijë shumë i zgjuar dhe i edukuar. Nuk ndahej asnjëherë nga nëna e tij. Le të digjej i gjithë pallati, por vetëm ai të shpëtonte”, tha ajo. Sakaq, një banore tjetër shprehet: “Jemi gati ta ndihmojmë Amarildon dhe gruan e tij me sa të mundemi. Do të mblidhemi të gjithë si komshinj dhe të bëjmë diçka për atë familje aq të mirë. Por fillimisht edhe shteti duhet të vërë dorën në zemër e të bëjë diçka”.

Ju jeni personi i parë që i shkuat në ndihmë familjes Nezha. Mund të na tregoni diçka rreth ngjarjes?
Dëgjova një zë që thërriste për ndihmë. Kam dalë në korridorin e pallatit dhe pashë se nga dera e banesës së Bahries dilte tym i madh. Ajo kishte në krahë vajzën e vogël 7 mujshe, të cilën ia rrëmbeu nga duart komshia tjetër.

Çfarë bëtë më pas?
Unë jetoj një kat poshtë familjes Nezha dhe bashkë me vajzën morëm disa kova me ujë që të fiknim zjarrin. Por a mund të fikej gjithë ai zjarr me disa kova me ujë?

Po prindërit e fëmijës ku ndodheshin?
Gjatë gjithë kohës Bahria tentonte që të futej në ballkonin e shtëpisë që të nxirrte djalin e vogël. Në ato momente erdhi me vrap edhe Amarildo, pasi kishte qenë në punë. Ka një dyqan përballë pallatit dhe me sa duket, ka parë flakët në moment. Ne si komshinj që ishim duke e ndihmuar, nuk arritëm të bënim dot më asgjë. Zjarri sa vinte e po shtohej. Kurse zjarrfikësja nuk kishte mbërritur akoma. I thashë Bahries që të tërhiqej sepse flakët po kapnin edhe atë, por ajo më tha se do të luftonte deri në fund me zjarrin derisa të nxirrte djalin nga ballkoni. As e ëma dhe as i ati nuk mundën të hynin dot në ballkon, pasi flakët kishin mbuluar derën e ballkonit dhe gjysmën e shtëpisë. Ata u gjetën të asfiksuar në shtëpi nga zjarrfikësit dhe më as ne i nxorëm jashtë. Bahria ishte me plagë në fytyrë.

Po zjarrfikësja kur ka mbërritur?
Pas 40 minutash, për të mos thënë edhe më vonë. Për një moment ata e fikën zjarrin, por ai filloj të ndizej sërish. Më vonë erdhën edhe disa zjarrfikëse të tjera, pasi e para nuk kishte më ujë. Zjarri ishte shumë i madh dhe tashmë në shtëpi nuk ka mbetur asgjë. Le të digjej e gjithë shtëpia, por vetëm djali të shpëtonte. Ai ishte një engjëll për të gjithë ne.

PERGJIGJET NJE TJETER BANORE E LAGJES
Ju jetoni në pallatin përballë familjes Nezha. Kur e vutë re zjarrin e fuqishëm që përpiu banesën e kësaj familjeje?
Kam dëgjuar të bërtiturat e banorëve të tjerë që kërkonin ndihmë. Kur dola jashtë, pashë se çfarë po ndodhte. Kemi lajmëruar policinë dhe zjarrfikësen. Nëse do të kishin mbërritur më parë, djali mund të kishte shpëtuar.

Prej sa vitesh jeton familja Nezha në këtë pallat?
Kanë disa vite që jetojnë këtu. Kanë ardhur nga një fshat i Lushnjës. Janë familje që shohin vetëm punën e vetë, nuk përziheshin me njeri. Amarildo ka marrë një dyqan me qira përballë pallatit dhe punon aty, ndërsa Bahria kujdesej gjithë ditën për fëmijët dhe shtëpinë.

Kush ua dha ndihmën e parë?
Komshinjtë që i kanë hyrjet ngjitur. Ata kishin bërë të pamundurën për ta shpëtuar fëmijën, por zjarri kishte filluar të përhapej me shpejtësi në të gjithë shtëpinë. Gjëja më e rëndë ishte se të gjithë rrinim jashtë e ndërsa trupi i atij engjëlli digjej atje lartë (tregon me gisht nga banesa e djegur). Të gjithë ne si lagje jemi gati ta ndihmojmë këtë familje me sa të mundemi. Do të mblidhemi të gjithë si komshinj dhe të bëjmë diçka për atë familje aq të mirë. Por fillimisht edhe shteti duhet të vërë dorën në zemër e të bëjë diçka. Të mos e lërë në qiell të hapur e me plagë në zemër.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: