Franca dhe Britania e Madhe do të mbështesin Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme “për të penguar agresionin e Rusisë”, kanë thënë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer.

Starmer mori pjesë në Ditën e Armëpushimit në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Paris si i ftuar i Macron të hënën dhe zhvilloi një takim me homologun e tij francez për të folur për pushtimin e Rusisë dhe ndalimin e migracionit të paligjshëm.

Një deklaratë nga Pallati Elysee tha se të dy udhëheqësit kishin riafirmuar angazhimin e tyre për të “mbështetur Ukrainën në mënyrë të palëkundur”.

Macron e ftoi personalisht kryeministrin, për të shënuar 120-vjetorin e Antante Cordiale mes Francës dhe Britanisë së Madhe, e cila hapi rrugën për një bashkëpunim më të madh diplomatik mes dy vendeve.

Deklarata tha se të dy udhëheqësit kishin riafirmuar angazhimin e tyre për të “mbështetur Ukrainën në mënyrë të palëkundur dhe për aq kohë sa është e nevojshme për të penguar luftën e agresionit të Rusisë”.

Një deklaratë e mëtejshme nga Downing Street tha se dyshja diskutuan se si ta vendosnin Ukrainën në “pozitën më të fortë të mundshme”.

Nuk kishte detaje nëse të dy udhëheqësit do të mbështesnin lejimin e Ukrainës për të përdorur raketa me rreze të gjatë “Storm Shadow” në territorin rus.

Vendimmarrësi kryesor përsa i përket Londrës dhe Parisit mbetet Presidenti Biden – i cili deri më tani nuk i ka dhënë leje Ukrainës të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave brenda Rusisë, nga frika e përshkallëzimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb