Frika e shpërbërjes së Bashkimit Europian ka alarmuar jo pak shtetet e kontinentit, e jo vetëm. Donald Trump dhe Vladimir Putin janë të parët që do tentojnë të “përfitojnë” nga ky moment, për të bërë një rivizatim të ri të hartës europiane dhe ndryshimet e kufijve brenda saj. Alarmin e kanë ngritur një grup politikanësh francezë, me në krye Jean-Pierre Raffarin, ish-Kryeministër i Francës.


“The Indipendent” shkruan se politikanët janë të mendimit se lideri i ri i amerikanëve dhe cari rus duan të ndryshojnë hartën e kontinentit të vjetër pas bombës Brexit-it nga Britania e Madhe. Ata thonë se presidenti i ri amerikan mund të përdorë nevojën e dëshpëruar të Britanisë për një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara, për të minuar dhe dobësuar Bashkimin Evropian.


Theresa May ishte udhëheqësja e parë e huaj që vizitoi Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve, dhe Trump deklaroi se një marrëveshje e re tregtare mes SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe do të bëhet me shpejtësi pas Brexit. Diplomatët europianë theksojnë se Londra ka luajtur në mënyrë të përsëritur “kartën Trump”, duke pretenduar se duke e lënë tregun e vetëm evropian nuk do të ketë pasoja negative ekonomike.


Trump dhe këshilltarët e tij kanë qenë të zëshëm në sulmet e tyre në Bashkimin Evropian, dhe Jean-Pierre Raffarin, ish-kryeministri francez, ka shprehur shqetësim të thellë se administrata amerikane ka në shënjestër shtetet individuale anëtare për marrëveshje britanike të stilit dypalësh, për të testuar solidaritetin e BE-së.

“Trump është duke u përpjekur të mbajë peng BE-në me Brex-it”, – tha ai, duke shtuar se “Vladimir Putin dhe aleatët e tij mund të përdorin të tilla manovra për të destabilizuar aleancën evropiane perëndimore”. Sipas tij, kjo parashikon përpjekjen për t’i ndarë shtetet.

(Gazeta Shqiptare)