Forcat ruse kërcënuan se do ta rrëzonin një avionë francez që po patrullonte muajin e kaluar në hapësirën ndërkombëtare mbi Detin e Zi, tha të enjten ministri i Mbrojtjes i Francës, Sebastien Lecornu. Ky incident tregon një për sjellje agresive nga Moska në një kohë kur forcat ruse po hasin në vështirësi të shënojnë përparim në pushtimin e Ukrainës.
Lecornu nuk dha hollësi për avionin ushtarak që u kërcënuan me rrëzim. Por, ai tha se Rusia po i kthehet qëndrimeve “posaçërisht agresive” të ngjashme me sjelljet e ish-Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. “Para një muaji, që t’jua jap një shembull shumë konkret, një sistem rus për kontrollimin e trafikut ajror kërcënoi se do ta rronte një avionë luftarak francez në Detin e Zi kur ne ishim në zonën e lirë ndërkombëtare ku ne patrullojmë”, tha ai për radio RTL.
“Sjellja e Rusisë më 2024 nuk ka lidhje me atë që e pamë më 2022 dhe, natyrisht, para agresionit në Ukrainë. Kjo sjellje e shpjegon faktin se Rusia është në gjendje të vështirë në fushëbetejë në Ukrainë”, tha ministri francez. Pilotët e Forcave Ajrore të Francës patrullojnë rregullisht në pjesën lindore të NATO-s, si pjesë e përpjekjeve të aleancës ushtarake me 31 anëtarë për ta përforcuar mbrojtjen prej se Rusia e filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Në mesin e avionëve që patrullojnë janë edhe avionët vazhdues francezë AWACS. Duke fluturuar lart mbi bregdetin e Detit të Zi, ata përdorin radarin e tyre të fuqishëm dhe pajisje të tjera vazhduese për të vëzhguar matanë Gadishullit të Krimesë në Ukrainë, i cili u zaptua nga Rusia dhe u aneksua në vitin 2014. Ky avion vëzhgues mund t’i vërejë raketahëdhësit, lëshimin e bombave në ajër dhe aktivitetet e tjera ushtarake në luftën në Ukrainë.
Pilotët rusë e kanë bërë të qartë kohë pas kohe se nuk u pëlqen kur dikush i vëzhgon.
Më 2022, një avion luftarak rus e shkrepi një raketë në afërsi të një avioni vëzhgues të Forcave Ajrore të Britanisë së Madhe, i cili po fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi, kishte thënë asokohe Qeveria britanike. Qeveria amerikane e publikoi një video në mars 2023 ku shihej një avionë luftarak rus duke derdhur karburant mbi një dron vëzhgues të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara. Droni u rrëzua në Detin e Zi.