Francezët kanë nisur të votojnë për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. 39-vjeçari Emmanuel Macron përballet në një garë të fortë me kandidaten e të djathtës ekstreme Marine Le Pen.

Qytetarët francezë që jetojnë jashtë vendit kanë votuar gjatë ditës së shtunë. Qendrat e votimit janë hapur në të gjithë Francën në orën 8 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 7 të mbrëmjes.

Ndërkohë në disa qytete të mëdha të vendit qendrat e votimit mund të qëndrojnë të hapura deri në orën 8 të mbrëmjes.

Dy kandidatët të cilët dolën fitues në raundin e parë të zgjedhjeve, të mbajtur më 23 prill, kanë ofruar vizione të ndryshme për Francën.

Macron, një liberal i qendrës, është një mbështetës i fortë i qëndrimit të Francës në Bashkimin Europian, ndërsa Le Pen ka bërë fushatë për të vendosur Francën si prioritet, duke premtuar ndalimin e emigranteve, si dhe mbajtjen e një referendumi për daljen e vendit nga BE-ja.

Sipas sondazheve, Macron pritet të fitojë këto zgjedhje, të cilat po vëzhgohen me shumë kujdes nga Bashkimi Europian.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb