Presidenti francez, Emmanuel Macron i kërkoi sot Turqisë t’i jepte fund, sa më shpejt të jetë e mundur, ofensivës së saj në Siri, që rrezikon të ndihmojë Shtetin Islamik në rindërtimin e kalifatit të tij.

“Dënoj me forcë ofensivën ushtarake të njëanshme në Siri dhe i kërkoj Turqisë t’i japë fund sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Macron në një konferencë shtypi në Lion.

“Kjo rrezikon të ndihmojë Shtetin Islamik në rindërtimin e kalifatit të tij, kjo është përgjegjësi që e merr Turqia”, shtoi ai.

Parisi thirri sot pasdite ambasadorin e Turqisë në Francë.

I pyetur sot nga radio “France Info”, ministrja franceze e Ushtrisë, Florence Parly nënvizoi se Parisi kërkon që Turqia të heqë dorë nga kjo ndërhyrje.

“Turqia është një aleat i NATO-sa dhe kjo mundëson të kemi biseda me këtë vend shumë të sinqerta”, shtoi ajo.

“Ajo që ne dëshirojmë të marrim, është që Turqia të ndërpresë këtë ndërhyrje, të heqë dorë. Kjo është ajo që i kam kërkuar ambasadorit të Turqisë në Francë (…) Gjithsecili i kupton interesat e sigurisë të Turqisë, por ajo duhet t’i ndërpresë këto sulme”, theksoi ajo.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb