PARIS– “Parisi është sot kryeqyteti i botës”. Kështu deklaroi presidenti francez, François Hollande, duke iu referuar marshimit historik kundër terrorit, që mblodhi në sheshin “Republika” rreth 50 liderë botërore dhe rreth 2 milionë njerëz, që marshuan krah për krah në nder të “lapsit të thyer” të “Charlie Hebdo”.

Sheshi që ndodhet shumë pranë redaksisë së gazetës satirike “Charlie Hebdo”, u mbush nga miliona njerëz, të cilët ndoqën marshimin e udhëhequr nga liderët e botës, në nderim të viktimave të sulmit terrorist në zyrat e gazetës. Turma nderoi me duartrokitje të gjata edhe punonjësit e policisë, që u përballën me terroristët për tre ditë me radhë. Ajo që tërhoqi vëmendjen mes turmës ishin flamujt e vendeve islamike, të cilët valëviteshin përkrah flamurit francez, si shenjë e përkrahjes dhe bashkimit kundër terrorizmit.Parisi u blinduar nga forcat e sigurisë, ndërsa rreth 2200 policë dhe ushtarakë u mobilizuan për të garantuar sigurinë e kortezhit.

HOLLANDE: PARISI ËSHTË SOT KRYEQYTETI I BOTËS

Ora 15:10 – ‘Parisi është sot kryeqyteti i botës’, theksoi presidenti francez François Hollande për anëtarët e qeverisë të mbledhur në Elyse, para se të nisej për të marrë pjesë në marshimin republikan kundër terrorizmit në të cilin priten qindra mijëra persona dhe dhjetëra drejtues botërorë.

“I gjithë vendi do të ngrihet për më të mirën”, – shtoi presidenti duke përmendur këtë marshim që i përgjigjet një sërë sulmesh të xhihadistëve që shkaktuan 17 të vdekur në Francë dhe një tronditje botërore.

CAMERON: KËRCËNIMI TERRORIST DO TË JETË I PRANISHËM EDHE PËR SHUMË VITE

Ora 15:07- “Kërcënimi ekstremist do të jetë i pranishëm edhe për shumë vite”,- deklaroi sot në Paris kryeministri britanik, David Cameron para se të merrte pjesë në marshimin kundër terrorizmit.

Cameron, cituar në nga stacioni televiziv “Sky News” ka theksuar se “Britania e Madhe po përballet me të njëjtin kërcënim të ekstremizmit fanatik, që ka goditur Francën këtë javë”.

“Ky kërcënim është i pranishëm që prej disa vitesh dhe mendoj se do të jetë i pranishëm edhe për shumë vite të tjera”, deklaroi ai.

RENZI: EVROPA DO TA FITOJË SFIDËN KUNDËR TERRORIZMIT

Ora 15:00 – “Evropa do ta fitojë sfidën kundër terrorizmit”, deklaroi sot kryeministri italian, Matteo Renzi për gazetarët.

“Evropa është më e fortë se frika (…) dhe ne jemi këtu të gjithë së bashku për të dhënë mesazhin se Evropa do ta fitojë sfidën kundër terrorizmit”, – deklaroi Renzi.

Kryeministri italian është pjesë e shumë liderëve botërorë që marrin pjesë në Paris në marshimin që zhvillohet si reagim ndaj atentateve terroriste.

MINISTRAT E BRENDSHEM TE BE TAKIM NE FRANCE

Ora 12:30 – Ministrat e Brendshëm të BE-së kanë zhvilluar një takim sot në Francë, për të përforcuar masat kundër terrorizmit. Ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve tha në bashkëpunim, vendet europiane do të përforcojnë kontrollet në kufijtë e Shengenit për personat që do të hyjnë në të; do të ketë shkëmbim informacioni për udhëtarët ndërmjet vendeve, do të përforcohen rregullat për armëmbajtjen dhe internetin, se ky i fundit po radikalizon të rinjtë. Do të merren masa pozitive dhe përkujdesje ndaj atyre të rinjve, që mund të bien pre e propagandës së urrejtjes.

Ministri tha se do të luftohet kundër të gjitha akteve antisemite. Sinagogat dhe shkolla hebreje do të mbrohen nga ushtria nëse do të jetë e nevojshme dhe këtë ia ka premtuar përfaqësuesve të komunitetit hebre, vetë Presidenti Hollande. Në fund, Cazeneuve falenderoi gjithë vendet europiane për solidaritetin me Francën.

Po sot, SHBA ka njoftuar për mbajtjen e një takimi ndërkombëtar kundër terrorizmit në 18 shkurt në Uashington.

PJESEMARRESIT

Ndër përfaqësuesit e politikës franceze, që do të marrin pjesë, si Presidenti François Hollande, Kryeministri Manuel Valls dhe disa ministra, ish-kreu i shtetit Nicolas Sarkozy, ish-kryeministrat Alain Juppé François Fillon dhe Jean-Pierre Raffarin etj., partia e ekstremit të djathtë – Fronti Kombëtar nuk do të marrë pjesë, por disa prej zyrtarëve të kësaj partie kanë thënë se do të të manifestojnë në zonat ku janë zgjedhur, përfshirë edhe Marine Le Pen. Po ashtu, në marshim do të marrin pjesë të gjitha autoritetet fetare të Francës.

LIDERET EUROPIANE
Kancelarja gjermane Angela Merkel,
Kryeministri britanik David Cameron,
Kryeministri italian Matteo Renzi,
Presidenti spanjoll Mariano Rajoy,
Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker,
Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz,
Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk,
kreu i qeverisë daneze Helle Thorning-Schmidt,
kreu i qeverisë belge Charles Michel
udhëheqësi i qeverisë holandeze Mark Rutte
kreu i qeverisë greke Antonis Samaras
kreu i qeverisë portugeze Pedro Passos Coelho,
kreu i qeverisë çeke Bohuslav Sobotka,
kreu i qeverisë letoneze Laimdota Straujuma,
kreu i qeverisë bullgare Bojko Borisov,
udhëheqësi i qeverisë hungareze Viktor Orban,
kreu i qeverisë kroate Zoran Milanovic,
Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel,
Presidenti rumun Klaus Iohannis,
Ministri i parë danez Helle Thorning-Schmidt,
Presidenti i Konfederatës zvicerane Simonetta Sommaruga,
Kryeministri suedez Stefan Löfven.

ZYRTARE NGA VENDE TE TJERA TE BOTES
Ministri i Drejtësisë Eric Holder, SHBA
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, diplomati i tij kryesor – Avigdor Lieberman dhe ministri i ekonomisë Naftali Bennett,
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas,
Mbreti i Jordanisë Abdullah II dhe Mbretëresha Rania,
Ministri kanadez për Siguri Publike Steven Blaney
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov,
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga,
Kryeministri shqiptar Edi Rama,
Kryeministri turk Ahmet Davutoglu,
Kryeministri gjeorgjian Irakli Garibashvili
Presidenti ukrainas Petro Poroshenko,
Kryeministri tunizian Ministri Mehdi Jomaa,
Ministri egjiptian i Jashtëm Sameh Shukri,
Presidenti Malian Ibrahim Boubacar Keita,
Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan,
Ministri i Punëve të Jashtme algjeriane Ramtane Lamamra,
Presidenti gabonez Ali Bongo,
Presidenti i Nigerisë, Mahamadou Issoufou,
Presidenti i Senatit Australian dhe numri 2 në rendin e protokollit, Stephen Parry.

Shumë vende të tjera pritet të dërgojë përfaqësues për diplomacinë e tyre, si Maroku apo Brazili, që kanë ambasadorët e tyre përkatës në Paris.

MASAKRA NE CHARLIE HEBDO

Gazeta satirike “Charlie Hebdo” u sulmua mesditën e së mërkurës nga dy vëllezërit,

Cherif Kouachi dhe Said Kouachi. Dhjetë gazetarë dhe dy punonjës policie u ekzekutuan

me armë në ambientet e redaksisë së revistës franceze satirike, në Paris. Duke thirrur: “Allahu – Ekber” (Allahu është më i madhi), dy agresorët hynë në ambientet e revistës dhe hapën zjarr, duke vrarë 12 vetë. Dy agresorët, pasi u rrethuan për disa orë nga forca të shumta të policisë franceze, u ekzekutuan. Ata u vranë në një shtypshkronjë, në veri të Parisit, afër aeroportit “Charle de Gaulle”. Pak minuta para se të vriteshin, gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, njëri prej terroristëve i njohur si Cherif Kouachi, i tha një gazetari francez gjatë një interviste telefonike, se sulmi në revistën “Charlie Hebdo” u urdhërua nga Al-Qaeda. Prej së mërkurës, përgjatë 72 orëve, në Francë u regjistruan disa sulme terroriste dhe humbën jetën 17 persona.

(er.nu/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb