Në Francë përsëri dolën në rrugë për të protestuar “Jelekët e verdhë” kundër politikave të presidentit Emmanuel Macron.

Protestat e “Jelekëve të verdhë” kanë hyrë në javën e 52-të të cilat vazhdojnë prej disa muajsh me pjesëmarrje të ulët.

Protestuesit në Paris kanë zhvilluar marshime në dy destinacione të ndryshme, ku njëri grup ka marshuar nga lagjja Clichy e qytetit deri në lagjen Stalingrad ndërsa grupi tjetër nga sheshi Saint-Pierre deri në lagjen Bercy.

Përveç në kryeqytet, protesta janë zhvilluar edhe në qytete të ndryshme të vendit. Në protestën e zhvilluar në qytetin Montpellier policia formoi një kordon për të penguar hyrjen e protestuesve në qendrën tregtare dhe në stacionin e trenit.

Në ngjarjet e shënuara në protestën ku policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve janë arrestuar 12 persona si dhe u plagosën 4 të tjerë nga të cilët 3 prej tyre policë.

Gjithashtu, protesta janë zhvilluar edhe në Toulouse, ku pas tensioneve mes forcave të rendit dhe protestuesve policia ndërhyri me gaz lotsjellës.

Policia franceze ka ndaluar zhvillimin e protestave në bulevardin Champs-Elysees një nga simbolet më të rëndësishme të Parisit si dhe në zonën përreth katedrales Notre-Dame e cila u dëmtua masivisht nga një zjarr në prill.

Protestat e “Jelekëve të verdhë” që filluan si reagim kundër rritjes së çmimit të naftës dhe kushteve të këqija ekonomike të cilët më pas u shndërruan në protesta kundër qeverisë së Macronit filluan më 17 nëntor 2018.

Gjatë protestave, deri më sot kanë humbur jetën 11 persona, janë plagosur më shumë se 4.245 ndërsa mbi 12.107 të tjerë janë arrestuar.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb