TIRANE – Për vajzën simpatike të “Big Brother 5”, Françeska Jaçe, jeta pas reality show-t ka ecur më së miri. Pasi i dha fund lidhjes disa mujore me Ermalin, Françi vijon jetesën në Tiranë, ku dhe gjeti punë si menaxhere e një klubi nate. Biondja simpatike ka vazhduar të jetë pjesë e mediave, ku shpesh herë e kemi parë me fotot seksi në faqet e para të gazetave, apo dhe në emisione të ndryshme televizive. E njohur për hiret e sharmin që përcjell, Françeska ka ditur sesi të krijojë një profil të sajin në showbizz-in shqiptar. Ajo që të gjithëve u ka rënë në sy kohët e fundit është jeta e luksit që biondja simpatike bën. Veshjet firmato, udhëtimet jashtë Shqipërie, makina të shtrenjta, këto dhe shumë të tjera janë ato çfarë mund të shihen në profilin e saj në “Facebook”. Vetëm pak kohë më parë postoi disa foto ku shihet teksa bënte shopping në dyqanet luksoze të Romës, në Itali. Zgjodhi të kalojë pushimet e fundvitit pikërisht në kryeqytetin e Italisë, ku dhe përfitoi për të bërë disa blerje ‘të çmendura’. Natyrisht që kurioziteti nuk mund të na linte pa e pyetur Françeskën për burimin e këtyre të ardhurave.
“Bëj një punë të mirë dhe si rrjedhojë dhe paguhem shumë mirë. Puna më lejon ti plotësoj vetes çdo dëshirë, rroga ime është e vetmja e ardhur mujore që kam. Prej kohësh menaxhoj një lokal nate, e duke qenë se është një punë që ka vështirësitë e saj, natyrisht që dhe do të paguhesh më së miri”, shprehet për ‘Bluetooth’ vajza nga Vlora. Krahas punës, Françeska vazhdon dhe studimet për diplomaci. “Nuk kam shumë kohë të lirë, krahas punës unë dhe po vijoj shkollën, ndaj dhe kohën time të lirë e shfrytëzoj për të studiuar”. E natyrisht që nuk mund të rrinim pa e pyetur dhe për marrëdhëniet që ka aktualisht me ish-banorët e “Big Brother”. “Nuk ruaj asnjë kontakt me ta, nuk shihemi më”. Mesa duket biondja simpatike ka shkëputur çdo marrëdhënie me miqtë që njohu në reality show, përfshi këtu dhe Ermalin, ish-të dashurin. E sa i përket jetës private, Françeksa është hermetike. Prej kohësh nuk flet më në media për jetën private, duke deklaruar se është single dhe po e shijon shumë këtë stad të jetës. Kohë më parë, në një intervistë ajo tregoi për historinë e fundit të dashurisë, duke shpjeguar dhe arsyet përse i kishte dhënë fund. Por që nga ai moment nuk është parë më në shoqërinë e ndonjë djali në krahët e saj, duke mbetur mister emri i djaloshit fatlum. Ka zgjedhur të tërhiqet nga prononcimet për gazetat, kjo sepse i ka ndodhur disa herë që është zhgënjyer nga ato çfarë shkruajnë për të. “Në gazeta s’kam dashur të jem pjesëmarrëse sepse keqinterpretohen shumicat e gjërave dhe interpretohen jo ashtu si dua unë”, mbyll rrëfimin Françi.
(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: