Vogëlushi shqiptar, Alvin Berisha, i cili ndodhet i bllokuar në një kamp të Sirisë, ka shqetësuar jo vetëm shqiptarët, por edhe italianët. Ishte pikërisht emisioni investigativ italian “Le Iene”, që publikoi historinë e familjes së ndarë shqiptare, dhe që gjeti në kampin sirian vogëlushin Alvin, i cili me lot në sy kërkonte të largohej prej aty.
Historia bëri mjaft bujë edhe në Shqipëri, ndërsa është mjaft e vështirë sjellja e tij këtu, për shkak të luftës që ka nisur në Siri. Por, italianët vijojnë t’i kushtojnë vëmendje kësaj çështjeje, teksa së fundi Këshilli Rajonal i Lombardisë ka ndërmarrë një iniciativë në ndihmë të 11-vjeçarit.
Prej mbrëmjes së djeshme, 4 nëntor 2019, kulla Pirelli në Milano ka ndezur dritat dhe do të mbajë në fasadëne saj për dy ditë mbishkrimin “Free Alvin” (Lironi Alvinin).
Propozimi, i parashtruar nga drejtuesi i Forza Italia Gianluca Comazzi, gjeti konsensusin dhe miratimin unanim të Zyrës Presidenciale të Këshillit Rajonal të kryesuar nga Alessandro Fermi.
Nisma frymëzohet nga mocioni urgjent për rastin e Alvinit të vogël, të paraqitur nga këshilltarja Forza Italia Paola Romeo, më 22 tetor dhe u votua unanimisht nga Dhoma.
Dokumenti detyroi Këshillin Rajonal të Lombardisë të nxiste qeverinë kombëtare të krijojë kontakte diplomatike me qeverinë shqiptare për lirimin e 11-vjeçarit.
“Falënderoj Presidentin Fontana, Presidentin e Këshillit Fermi dhe drejtuesin Comazzi që ndërmorën një veprim të rëndësishëm që synon të sensibilizojë si Qeverinë shqiptare ashtu edhe Qeverinë Italiane për lirimin e Alvinit nga kampi Al-Hol në Siri.
Shpresoj që sa më shpejt të jetë e mundur të bëhen veprimet e dobishme për të arritur në një përfundim pozitiv për këtë histori të trishtueshme. Do ta ndjek historinë e Alvinit deri në fund dhe falënderoj gjithashtu redaksinë e emisionit televiziv “Le Iene” për mbështetjen e çmuar që na ka dhënë që në fillim. Shpresoj se “Alvin Free” të mund të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Paola Romeo.
(BalkanWeb)