TIRANE Diabeti është një sëmundje mjaft e përhapur, duke u kthyer në një ndër vrasësit kryesorë të njerëzimit. Sipas shifrave të fundit të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë, në Shqipëri janë 70 mijë pacientë që trajtohen me insulinë; ndërkohë mendohet se numri i të prekurve nga kjo sëmundje të jetë rreth 130 mijë. Në bazë të rrezikshmërisë që paraqet kjo sëmundje, gazeta po boton mënyrat se si kontrollohet sëmundja dhe kujdesi ushqimor që ul probabilitetin. 

*** 
Diabeti është një sëmundje që karakterizohet nga nivel i lartë glukoze (ose sheqeri) në gjak. Ky nivel i lartë glukoze është i shkaktuar nga paaftësia e organizmit për të përdorur insulinën e vet për të tretur sheqerin. Mjekësia akoma nuk e di me saktësi përse ndodh një gjë e tillë dhe e kanë quajtur shkakun “Sindroma x”, por përgjithësisht besohet se faktorët kryesorë që çojnë në diabet janë: Gjenet e predispozuara, ushqim jo i ushqyeshëm, mungesë aktiviteti fizik dhe mbipesha. Termi mjekësor për diabetin ose “diabetes mellitus” vjen nga dy fjalë greke e do të thotë “të shkarkosh”, kurse e dyta është fjalë latine e do të thotë “i ëmbël si mjaltë”. Këto fjalë e përshkruajnë më së miri sëmundjen, sepse te një i sëmurë me diabet, uji kalon nëpër trup sikur të ishte duke u shkarkuar nga goja nëpër rrugët urinare e jashtë trupit. Veç kësaj, urina ka përmbajtje sheqeri. Madje, para se të zbuloheshin metodat më të efektshme, për të provuar nëse dikush vuante nga diabeti, e hidhnin urinën e pacientit afër një foleje milingonash. Nëse kjo i tërhiqte insektet, kuptohej që urina kishte përmbajtje sheqeri. 

SIMPTOMAT 
Historikisht, mjekimi i diabetit është bërë duke luftuar pasojat (simptomat) dhe jo shkaqet që e shkaktojnë atë. Kjo tregon se shumë ilaçe për diabetin parandalojnë atë që diabeti shkakton, si për shembull: etjen e tepruar, urinë, urinimin, irritimin, dobësinë dhe lodhjen. Këto ilaçe i lehtësojnë këto simptoma por ato nuk funksionojnë, duke e bërë organizmin më të ndjeshëm ndaj insulinës, që është shkaku i 95% të rasteve të diabetit të tipit 2. 
Shumica e këtyre ilaçeve funksionojnë duke rritur sasinë e insulinës së prodhuar nga organizmi, ngadalësuar çlirimin e glukozës nga mëlçia ose duke ngadalësuar thithjen e ushqimit nga zorrët. Përderisa këto ilaçe nuk e rrisin ndjeshmërinë e organizmit ndaj insulinës, nuk e fitojnë dot luftën kundër diabetit; ato veçse ju ndihmojnë në një betejë të humbur. Diabetikët që mbështeten shumë në ilaçe përgjithësisht nuk e kontrollojnë mirë nivelin e glukozës në gjak. Në fakt, sa herë që glukoza lëviz në zonën e rrezikshme (200 mg/dl), më shumë dëm i bëhet trupit dhe mundësia për komplikacione rritet. Kjo u provua në testimin e madh 10-vjeçar që Instituti Kombëtar amerikan i Shëndetit bëri mbi kontrollin e glukozës tek diabetikët. Studimi tregoi se hiperglicemia (nivel i lartë i sheqerit në gjak) çon në dëm nervor dhe vaskular, që nga ana e tyre rrezikojnë sytë, nervat dhe veshkat. Me gjithë këtë, studimi nxori se kontrolli i kujdesshëm i glukozës me anë të një regjimi të rreptë dhe ushtrime fizike e ul rrezikun për komplikacione nga 50% deri në 5%. 

Ushqime që duhen preferuar 
Bishtajat, si bathët, bizelet, qiqrat, sidomos të freskëta, përfaqësojnë në mënyrë absolute ushqimin më të mirë për diabetikët. Ato ofrojnë karbohidrate me shpërbërje të ngadaltë që evitojnë tek diabetikët, majatë e padëshiruara glicemike. Në dimër, kur nuk gjenden bishtaja të freskëta, mund të zgjidhen ato të thata apo të ngrira. Ja tek është një recetë për tre persona, e cila përmban një përzierje bishtajash, drithërash dhe farash vajore, një ilaç i sigurt jo vetëm për diabetikët, por për të gjithë ata që duan të qëndrojnë në formë. Në mbrëmje vendosni në një tenxhere me pak ujë të vakët e pak kripë një përzierje me 200 gramë: soja, qiqra, tërshërë, fasule dhe bathë. Në mëngjes shtoni edhe 100 gramë të tjera thjerrëza, oriz të plotë, bizele dhe fara luledielli. Lërini të ziejnë me zjarr të ngadaltë për dy orë, së bashku me panxharin dhe lulelakrën. Shtoni edhe tri lugë vaj ulliri. Kjo është një pjatë e ushqyeshme dhe e shëndetshme, e aftë të japë energji pa rrezikun e glicemisë së lartë. 

Ushqimet që duhen ngrënë në mënyrë të rregullt 
Buka, brumërat dhe orizi nuk duhen përjashtuar në asnjë mënyrë nga dieta e diabetikut. E rëndësishme është që ato të konsumohen në doza korrekte dhe mundësisht integrale (me miell të pasitur). Një pjatë me oriz të papërpunuar e ngre më pak gliceminë sesa një pjatë me oriz të bardhë. E njëjta gjë edhe për bukën apo brumërat. 
Ushqimet që duhen evituar në mënyrë absolute 
Të gjitha ushqimet me tregues të lartë glicemie dhe që ndikojnë në ngritjen e saj: sheqernat e thjeshtë si sakarozë, fruktozë, të ëmblat në përgjithësi. 
Ushqime që duhen ngrënë në mënyrë të kufizuar 
Sallamet, frutat e thata, mishi, buka e bardhë dhe biskotat. 
Mish apo peshk? 
Yndyrnat e ngopura nuk duhet të konsumohen nga personat me të tillë patologji; preferoni pra mishin e bardhë dhe sa më shumë peshk, sidomos peshk deti, të pasur me Omega 3. 
Ushqime që ulin gliceminë: 
Sipas disa studimeve të kryera, ushqimet me fuqi hipoglicimizuese janë: elbi, bananet e papjekura, maja e birrës (9 gramë në ditë), soja e verdhë, hudhra, qepa, preshi, rrodhja (bimë e egër, shumë e mirë nëse zihet bashkë me lëpjetën), lakra, rukola dhe speci djegës. 
Po frutat? 
Frutat janë të pasura me fruktozë, kështu që nuk duhet të abuzojmë me to. E rëndësishme është që frutat të hahen të paqëruara: molla me gjithë lëkurë, tek portokallet edhe fibrat e bardha që rrethojnë thelat e portokallit (albedina). Si lëkura e portokallit, ashtu edhe albedina përthithin me ngadalë sheqernat e këtij fruti.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb