Një dezertor i njohur nga Koreja e Veriut, i cili në vitin 2012 kishte habitur komunitetin ndërkombëtar me dëshminë e arratisjes së tij të mundimshme nga kampet e Penjanit, duket se ka ndryshuar historinë pas një mesazhi video nga babai i tij, të cilin e dinte të vdekur. Dezertori koreanoverior Shin Dong-hyok, i cili konsiderohet si një dëshmitar kyç në hetimet e OKB-së dhe autor i një libri bestseller, ka vendosur të ndryshojë disa pjesë të rëndësishme të rrëfimit të tij, pas frikës se babai i tij që ndodhet në Korenë e Kim Jong Un, mund të vritet.
Shin Dong-Hyok shkruajti historinë e arratisë së tij nga një zonë e kontrolluar, e quajtur Kampi 14, duke iu ofruar audiencave perëndimore një mundësi për të lexuar rreth Koresë së Veriut. Në librin e tij ai rrëfente se kishte shpëtuar nga kampet e komunizimit, ku ishte torturuar ndër të tjera edhe me zjarr. Por çuditërisht në fundjavë, Shin deklaroi se disa pjesë të historisë së tij janë të pasakta, pavarësisht se ai nuk i përcaktoi cilat. Në një postim në faqen e tij në “Facebook”, ai shkruajti se disa pjesë të së kaluarës së tij, që kishte dashur shumë t’i mbulonte, nuk mund të fshiheshin më. Blaine Harden, autori i “Arrati nga Kampi 14,” shkruajti në faqen e tij të internetit se Shin kishte pranuar se kishte disa pasaktësi, përfshirë dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të tij në Kampin 14. Roli famëkeq i Shin dhe tani pasaktësitë e pranuara në historinë e tij, kanë ngritur shqetësime se kjo mund të dëmtojë përpjekjet e avokatëve të të drejtave të njeriut dhe të çorientojë dëshmitë e refugjatëve të tjerë koreano-veriorë.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb