TIRANË

Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e nisjes së misionit të “Frtontex” në Shqipëri tha se ky është një element i qartë, por edhe shenjë vlerësuese e BE-së për Shqipërinë, e cila bëhet tashmë vendi i parë që zgjidhet në Ballkanin Perëndimor për një marrëveshje të tillë.


Shefi i qeverisë shtoi se Shqipëria i ka të gjitha kapacitete për të ruajtur kufijtë dhe të përballojë njëherësh edhe fluksin migrator, që vjen nga vendet e treta.

Gjithashtu kryeministri shtoi se Shqipëria ka qenë gjithmonë një partner i besueshëm për aleatët e saj, ndërsa kujtoi se të huajt kur vijnë në vendin tonë nuk priten me kambanë alarmi, por me admirim sepse shtoi ai, kjo vjen  për shkak të traditës sonë kombëtare të trashëguar ndër breza.


Ai kujtoi edhe pritjen e shqiptarëve të Kosovës 20 vite më parë, të cilët u larguan nga terrori  spastrues i Sllobodan Milloshevicit si dhe pritjen e hebrenjve pas luftës së dytë botërore


“Kjo  është një arsye e qenësishme për t’u ndjerë vërtetë krenarë që bëhemi pjesë e një projekti tejet të rëndësishëm  për Evropën. Arsyeja tjetër është personale.

Për faktin se këtu sot jam me një mik, që në disa role  ka treguar me vepra dhe jo me fjalë një miqësi shumë të sinqertë jo thjesht ndaj meje personalisht ndaj meje, Dhimitri Avramopoulos, pa të cilin që edhe ky projekt i rëndësishëm, që sot  nis të jetësohet, zor se do të ishte imagjinuar dhe jo më të ishte realizuar. Unë  do të doja ta falënderoja  komisionerin për praninë e tij dhe mbi të gjithë për dedikimin e tij ndaj një fushe, ku në kohën kur e mori detyrën mua mu duke se i kishin lënë pjesën më të minuar të të gjithë interesave të KE-së, por sot mund të thuhet se është bërë një progres i madh. Falë jush dhe përmes jush , ne do të jemi në gjendje  t’u tregojmë miqve dhe partnerëve në BE edhe më mirë edhe me më shumë fakte dhe prova të padiskutueshme për të qenë në këtë copëz të vogël të Europës një partner i besueshëm dhe tërësisht i besueshëm në përballimin e flukseve migratore.

Nisja e zbatimit të këtij projekti, një marrëveshje që e bën Shqipërinë vendin e parë të Ballkanit, që do të patrullojë  kufijtë e jashtëm përbën  një arsye për të qenë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është që të kemi sukses edhe në funksion të zgjerimit të mëtejshëm. Përfitimet në fakt janë disa, sepse marrëveshja  i hap rrugë bashkëpunimit në informacion dhe analizën e fluksit të rriskut si dhe përballimit të fluksit nga vendet migratore nga vendet e treta.

Shqipëria është përballur me një rritje të flukseve  të migracionit  6.7 herë më shumë në 2018 krahasuar me vitin  2017. Ne nuk jemi një vend ku ata që vijnë shihen si rrezik apo problem, për arsye të traditës sonë. Nuk janë dëgjuar klithma për shkak të prirjeve të vendeve të tjera, por ky vend ka treguar se di të mbajë  gjysmë milioni migrantë lufte pa i kërkuar kërkujt asnjë gjë. Jemi këtu dhe jemi shumë më mirë seç ishim në atë kohë dhe kemi ndërkohë të shënuar në histori që jemi të gjithë krenarë për këtë faqe të historisë. Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj  pas luftës sesa para luftës. Asnjë hebre nuk humbi jetën dhe asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve, jemi të vetëdijshëm për faktin se jetojmë në një kohë kur duhet të japim kontributin tonë, kundër migrimit të paligjshëm në BE dhe jemi shumë të vetëdijshëm që ky projekt është sa një ndihmë e madhe aq edhe një sfidë prej ku vendi do fitojë edhe në aspektin e reputacionit në sytë e partnerëve tanë.”-tha Rama.

“Na vjen mirë që emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve vijon të bjerë në mënyrë të ndjeshme. Bazuar në raportin e 2018, shkruhet se në 2018 kaluan kufirin në mënyrë të paligjshme 27% më pak, ndërsa kërkesat për azil janë ulur me 32% krahasuar me 2007 dhe falë bashkëpunimit për këtë temë të disa vendeve partnere që u përballën me këtë problem e ndryshimit të legjislacionit, emigrimi i paligjshëm është minimizuar në shifra të papërfillshme.

Padashur t’ju marr kohë me gjëra që i dini mirë, lidhur me kompleksitetin e menaxhimit të kufijve është e sigurtë se vetëm bashkëpunimi e ndërveprimi mund ta bëjnë këtë sfidë komplekse të menaxhueshme .

93% e njerëzve mbështesin integrimin në BE, një shifër që nuk gjendet në vendet tuaja, por nuk është arsye për të buzëqeshur me çudi kur e dëgjoni sepse nuk jemi naiv në këtë dashuri të verbër për BE që sot kërcënohet nga verbëris ndaj hisotrisë së BE. Ne jemi pjesë e një territori që luftën se ka parë në tv në arkivat bardhi e zi apo përmes filmave, por e kemi patur këtu. 500 mijë shqiptarë nga kosova këtu i ka sjell lufta, ashtu sikundër në gjithë këtë rajon, viktima ka bërë lufta, ndërsa në BE lufta konsiderohet cështje e zgjidhur. Me urimin që në Europë të gjeni dashurinë për vetveten ju falënderoj shumë.”-përfundoi Rama.

(n.m/BalkanWeb)

 

Etiketa: