Prefekti i Qarkut të Korçës Nertil Jole ka qenë këtë fundjavë në fshatin Sheqeras, rreth 20 km larg qytetit të Korçës, ashtu si vazhdimisht shkon kudo ku ka njerëz të punës e biznese të suksesshme. Në fushat e Sheqerasit Jole ka takuar tre të rinj.
“Me fermerin e ri Enea Xhone dhe mekanizatorët Ordi dhe Denisi që kanë në pronësi tre autokombajna, duke ndihmuar edhe shumë fermerë të tjerë të fushës së Maliqit që punojnë parcela bujqësore. Djem të punës e të angazhuar me bujqësi me shumë besim për suksesin e tyre”, shkruan Jole në FB ku ka postuar edhe foto e video nga fusha ku 3 të rinjtë punojnë.
Enea ka në përdorim rreth 100 ha tokë bujqësore, kryesisht me qera nga banorët e zonës. Ai kultivon thekër, grurë, elb dhe misër. Prodhimet janë të gjitha të kënaqshme në sasi dhe cilësi. Ai ka investuar vitet e fundit në mekanikë bujqësore duke arritur tashmë në moshën 25 vjeçare “statusin” e fermerit potencial.
“Një rast vërtet frymëzues për të gjithë ata të rinj të tjerë që zgjedhin të angazhohen seriozisht në bujqësi. Bujqësia, një sektor sa i vështirë dhe po aq i domosdoshëm.
Respekt e mirënjohje për njerëzit e punës!”, shkruan Jole në FB.