Një fshat i vogël rural në Itali po ofron shtëpi për vetëm 1.06 dollarë për amerikanët që duan të largohen nga SHBA, pas zgjedhjeve presidenciale të 2024-ës.

“A jeni të lodhur nga politika globale? Po kërkoni të përqafoni një mënyrë jetese më të ekuilibruar duke siguruar mundësi të reja? Është koha për të filluar arratisjen tuaj evropiane në parajsën mahnitëse të Sardenjës”, thuhet në uebsajtin promovues.

Fshati Ollolai në ishullin e Sardenjës po punon për të rritur numrin e popullsisë pas dekadash rënieje duke tërhequr amerikanët që kërkojnë një shtëpi të re.

Kryebashkiaku Francesco Columbo për CNN tha se kemi krijuar posaçërisht këtë faqe interneti tani për të përmbushur nevojat e zhvendosjes së amerikanëve.

Shtëpitë e rikonstruktura kanë çmime deri në 100,000 euro, ndërsa disa shtëpi që kanë nevojë për rikonstruksione shiten për 1 euro.

Disa nomadëve dixhitalë do t’u ofrohet strehim falas.

“Amerikanët do të kenë një procedurë të shpejtë”, tha Columbo duke shtuar “ne po vëmë bast që ata të na ndihmojnë të ringjallim fshatin, ata janë karta jonë fituese”.

Fshati Ollolai zbuloi fillimisht projektin në gusht dhe ka raportuar se më shumë se 18,000 njerëz kanë aplikuar tashmë për banesa.

“Sigurisht që nuk mendojmë të zgjidhim probleme serioze siç është shpopullimi, por është një mënyrë për të thyer barrierat, për të sjellë njohuri dhe përvoja të ndryshme në komunitet dhe për të bërë të njohur territorin”, tha kryebashkiaku kur shpalli projektin.

Sardenja njihet si ishulli i dytë më i madh në Detin Mesdhe.

“I rrënjosur në natyrën e pacënuar, i njohur për kuzhinën e jashtëzakonshme dhe i përbërë nga një komunitet me tradita të lashta, në Zonën e rrallë Blu të Tokës, Ollolai është destinacioni i përsosur për t’u rilidhur, rimbushur dhe përqafuar një mënyrë të re jetese”, thuhet në postim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb