TIRANË

Komisioni i Medias dhe Edukimit ka zhvilluar një dëgjesë sot me Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj për çështjen e studentëve që opozita ka deklaruar se janë dhunuar nga policia. Por në komision nuk kanë munguar as debatet për rastin e përdhunimit në Kavajë.

Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi akuzoi Lleshajn se ka fshehur ngjarjen, por përgjigjja e ministrit ishte se djemtë ishin ndaluar para denoncimit të Berishës dhe rasti ishte referuar në Prokurori.

Pas debateve komisioni ka mbyllur punimet për ditën e sotme dhe ka njoftuar se të premten do jenë dy dëgjesa të tjera në lidhje me studentët dhe pretendimet se ata janë dhunuar nga policia.

Vokshi: Ministri i Brendshëm e pranoi vetë që ngjarja kishte ndodhur, nuk kishin informuar sepse e quajti publicitet pavarësisht se ishte krim monstruoz. E pranoi vetë që kishte fshehur krimin. Se me çfarë tagri përcakton ministri se është publicitet apo jo?! E pranoi vetë se kishin fshehur ngjarjen.

Lleshaj: Personat në fjalë janë ndaluar nga policia e Shtetit para se shefi juaj ta bënte publike.
Vokshi: A është fshehur ngjarja

Lleshaj: Jo.
Vokshi: Pse nuk e keni në komunikatë?
Lleshaj: Është referuar në prokurori.

Vokshi: Jo, në komunikatë zyrtare.
Lleshaj: Është referuar në Prokurori.
Noka: Ish-kryeministri Berisha e ka me datë denoncimin, na tregoni ju një dokument që tregon me datë se keni bërë referim në Prokurori. Ju gënjeni.

Lleshaj: Zoti Noka, atë fjalë tërhiqe nuk jam nga ai fis unë që gënjej. Nuk gënjej unë.
Noka: Nuk të kemi thirrur për fis por për ministër.

Vokshi: S’ka lidhje fisi këtu. Ju duhet të keni reagim institucional.
Lleshaj: Do ishte shërbim publik po ta zbardhnim por jo me deklarata të papërgjegjshme.

Salianji: Ministri i brendshëm mund të jetë shumë i mire si klerik dhe si prind, por jo si zbatues i ligjit. Sot qytetarët kanë kuptuar se ministria e Brendshme ka shkelur ligjin me studentët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb