TIRANË

Prokuroria e Tiranës shpalli pretencën për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, për të cilin kërkoi dënimin me 1 vit e gjashtë muaj burgim. Ndaj ish-gjyqtarit të karrierës i nxjerrë përfundimisht jashtë radhëve të sistemit me vendim të institucioneve të Vettingut, rëndon akuza e falsifikimit të formularëve, përderisa ai nuk deklaroi një dënim të marrë në Itali 20 vite më parë.

Rekordi kriminal për ish-anëtarin e gjykatës Kushtetuese u zbulua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit në kuadër të procesit të vettingut, fakt që tronditi edhe shumë prej njerëzve të drejtësisë. Kryesisht, prokuroria e Tiranës nisi hetimet për rastin në fjalë duke marrë të pandehur Thanzën. Në seancën e së premtes, prokurori Gentian Habazaj teksa lexoi pretencën, tha se nga letërporosia e mbërritur nga autoritetet italiane, rezulton e provuar se Admir Thanza është dënuar me 2 muaj burgim dhe 150 mijë lireta gjobë për vjedhje të kryer në bashkëpunim. Ky dënim është pezulluar më pas. Referuar vendimit italian, Thanza akuzohet se në San Guiliano Terme në bashkëpunim me dy persona të tjerë, E.A dhe A.Th me qëllim përfitimin material mori rroba dhe produkte kozmetike në supermarketin ‘Continente’.

Njeriu që ngjiti të gjitha shkallet e karrierës në drejtësi, e ka pranuar faktin se është dënuar nga drejtësia italiane, por në interpretim të ligjit, ai thotë se nuk e ka patur detyrim ta deklaronte këtë rekord, për sa kohë nuk ishte një dënim penal.

Argumentin e të pandehurit e rrëzon prokuroria. Përfaqësuesi i institucionit të akuzës arsyetoi se “I pandehuri ka patur detyrim që të njoftonte institucionin që ka bërë emërimin e tij në funksionin e gjyqtarit dhe ishte më pas detyrë e organit të emërtesës, në rastin e tij, Presidenca, të çmonte nëse duhej ose jo që Admir Thanza të vazhdonte detyrën”.

Ndryshe nga seanca dëgjimore publike në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku u shfajësua për veprimin e tij, në prokurori, ish-gjyqtari e ka mohuar akuzën, duke deklaruar se ajo është në kundërshtim me Kushtetutën dhe konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Megjithatë, argumentat e mbrojtjes ish-gjykatësi pritet t’i paraqesë seancën 31 majit.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb