Kontrata e punës mes De Biasit dhe FSHF-së parashikon edhe bonuse dhe shtesa, për rezultatet pozitive që merr Kombëtarja. Ndërkohë, për lojtarët e kësaj të fundit ka një rregull në FSHF, që akordon një fond shpërblimi për lojtarët, sa herë që ka një barazim të rëndësishëm apo edhe fitore të rëndësishme.

Pas suksesit ndaj Armenisë, ku Shqipëria është e dyta me pikë të barabarta me Danimarkën, vjen edhe radha e shpërblimit për punën e bërë.

Nga sa mësohet paraprakisht nga gazeta “Panorama Sport”, do të jetë një fond prej rreth 100 mijë eurosh që do të shpërndahet për Kombëtaren si shpërblim për fitoren e arritur ndaj Armenisë.

Do të jetë një fond i akorduar nga FSHF-ja që do të shpërndahet për stafin e Kombëtares dhe për lojtarët e saj si shpërblim për fitoren e arritur. Në bazë të një rregulli të përcaktuar edhe në kontratë, trajneri Xhani De Biasi do të përfitojë rreth 5000 euro si shpërblim për këtë fitore.

Ndarja e fondit si shpërblim pas fitores me Armeninë do të bëhet edhe për të gjithë lojtarët e ekipit kombëtar. Nga sa mësohet, do të ketë një ndarje të tillë ku të gjithë lojtarët do të mund të përfitojnë nga një shumë prej 3000 eurosh për këtë fitore.

Një shumë që përgjithësisht është e njëjtë në ndarje, për të mos bërë dallime mes lojtarëve. Ky është një shpërblim motivues për lojtarët dhe stafin e kombëtares për një sukses të arritur, pavarësisht se kontratat e lojtarëve me ekipet e tyre janë shumë herë më të mëdha dhe askush nuk luan në Kombëtare për të marrë një shpërblim. Megjithatë, pas gjithë asaj që bëri Kombëtarja në fushën e lojës dhe në përgatitjen e ndeshjes, vjen edhe radha e një shpërblimi monetar për punën e kryer.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: