Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur më në fund të hedhë kalendarin për edicionin e ri të Kategorisë Superiore në futboll dy javë nga starti zyrtar i saj, ose të paktën nga data e dhënë fillimisht nga vetë institucioni i futbollit, që shpeshherë ka dhuruar “mrekulli” me spostime datash. Kur të gjitha kampionatet, të cilat e nisin aktivitetin e tyre në gusht, e dinë prej të paktën një muaji kalendarin, në Shqipëri skuadrat ende nuk dinë asgjë sepse vëtë FSHF-ja është treguar e paqartë me futbollin në vend.

Gjithsesi, nesër në orën 11:00 do të hidhet shorti, ndërsa pikëpyetjet janë të shumta. Sa klube janë licensuar për edicionin e ri futbollistik parë që ka mjaft ekipe me borxhe të jashtëzakonshme të akumuluara ndër vite dhe që janë licensuar jashtë rregullave nga vetë federata? Si do të menaxhohet skandali më i madh i futbollit shqiptar me Skënderbeun e dënuar për trukime? Kur do të nisë realisht kampionati me klubet të ndarë në dy kampe, me korccarët që duan shtyrjen dhe të tjerët jo? Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve natyrisht që nuk do të vinë nesër, sepse vetë FSHF na ka mësuar t’i tërheqë gjërat zvarrë në pafundësi, duke sajuar rrugëdalje, por jo zgjidhje vetëm e vetëm që topi të rrotullohet, pavarësisht se stadiumet po boshatisen gjithnjë e më shumë. Të shohim nesër…

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb