Nga: JETON SELIMI*
FSHF-ja duket se do të jetë mjaft e ashpër, sa u përket masave për ekipet që nuk plotësojnë standardet për zhvillimin normal të një ndeshjeje futbolli. Ilir Shulku, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, i ftuar në emisionin e përjavshëm sportiv “Skaner”, lidhur me inspektimet që ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit dhe do të bëjë në fushat e ekipeve të ngjitura në Superligë dhe në të Parën, ka pohuar: “Duke u uruar suksese ekipeve të sapongjitura në kategoritë përkatëse, nga institucioni ynë (FSHF)do ketë inspektime dhe detyra me afat të caktuar për t’u realizuar. Janë inspektuar fushat e Ballshit dhe Pukës, madje fusha e Pukës është më problematike. Jo vetëm impianti, por edhe të tjera ambiente nuk përmbushin kërkesat. Ndryshe është situata për fushën e Ballshit, që ka qenë një stadium superlige. Këto inspektime do të kryhen, jo vetëm në Superligë, por këtë javë do të inspektohen edhe fushat e ekipeve që janë ngjitur në të Parën. Një gjë është e sigurt: kush klub nuk plotëson kushtet, nuk luan në fushën e vet”, ka qenë ultimatumi i sekretarit të përgjithshëm Ilir Shulku. Qartë dhe prerë është shprehur Ilir Shulku, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, i cili njëherësh zyrtarizon edhe vendosmërinë e institucionit të futbollit shqiptar, për të rritur kërkesat e nevojshme të infrastrukturës sportive për zhvillimin normal të garës në sezonin e ardhshëm.
Bylisi
Presidenti i skuadrës së Bylisit, Agron Kapllanaj ka premtuar ndryshime në infrastrukturë, madje puna do të nisë nga një tribunë me kushte moderne, duke qenë se tapeti i barit dhe shkallët ballore janë rinovuar dy vite më parë. “Ka ardhur koha që Ballshi të ketë një stadium modern, madje puna do të fillojë nga tribuna. Në planet tona, në bashkëpunim edhe me FSHF-në, fillimisht do të jetë ndërtimi i një tribune me parametra europianë. Do të ketë edhe karrige plastike në tribunën ballore”. Premtimet e kahershme të presidentit Kapllani të Bylisit për ndërtimin e një stadiumi me parametra ndërkombëtarë në Ballsh, bëhen edhe më të besueshme pas inspektimit të kryer ditët e fundit nga FSHF-ja dhe detyrave të lëna për stadiumin “Adush Muça”. Presidenti ballshiot nuk jep ndonjë datë të caktuar se kur do të nisin punimet, por ai tregon se projekti për rikonstruktimin e stadiumit të Ballshit është i gatshëm dhe do të bëhen të gjitha përpjekjet që stadiumi i rikonstruktuar “Adush Muça” të jetë në dispozicion të Bylisit që në startin e sezonit të ri futbollistik, ku skuadra ballshiote rikthehet pas një sezoni të munguar.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: