Dita e djeshme ka qenë e rrëmujshme në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit. Shkak për këtë është bërë një kamera e fshehtë, ku shfaqet ish-lojtari i Besës së Kavajës, Elbasanit dhe Vllaznisë, Liridon Leci, dhe që është shprehur se “njerëzit në Shqipëri më japin një mbështetje të madhe mua. Unë kam pasaportën shqiptare vetëm pse e bëj këtë punë. Armand Duka ma dha mua atë”. FSHF-ja ka dalë me një komunikatë për mediat, ku mohon përfshirjen e saj dhe të presidentit Duka në trukime ndeshjesh dhe pranon se do të nisë hapat ligjorë kundër këtyre shpifjeve. “E indinjuar ndaj deklaratave të tilla, të gënjeshtërta, të pabaza dhe fyese për institucionin tonë dhe për Presidentin Armand Duka, FSHF-ja ka reaguar me këtë qëndrim: Komentet janë trillime dhe halucinacione dashakeqëse. Leci gënjen. Federata u kërkoi menjëherë juristëve të saj, që të mbledhin materialin e nevojshëm ligjor, provat për këtë rast dhe të ndërmarrin të gjithë hapat për të vënë përpara drejtësisë për shpifje, personin në fjalë”, lexohet ndër të tjera në komunikatën e FSHF-së.

 

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: