Federata Shqiptare e Futbollit i është kundërpërgjigjur Policisë së Shtetit duke e cilësuar reagimin e kësaj të fundit si qesharak. FSHF këmbëngul se policia kërkon të fshihet nëpërmjet korrespondencave, ndërsa nuk pranon faktin se mund të kërcënohet me denoncim:

Deklaratë për shtyp mbi reagimin e Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit më në fund gjeti kohën për të shkruajtur disa faqe deklaratë, në të cilën nuk gjetëm një frazë në të cilën ndjehej keqardhje për çfarë ka ndodhur dhunshëm mbi trupin dhe kokën e gjyqtarit të ndeshjes, i cili ishte duke ushtruar detyrën e tij.

Policia e Shtetit në asnjë rresht të deklaratës nuk jep një përgjigje për shqetësimet e ngritura nga Federata Shqiptare e Futbollit. Policia e Shtetit, që sipas ligjit ka për detyrë institucionalisht të ruajë rendin dhe sigurinë publike në mjediset sportive, ende nuk ka dhënë një përgjigje për selektivitetin e ndërhyrjes në stadiumet shqiptare por vazhdon të fshihet pas korrespondencave dhe shkresave. Policia e Shtetit kërkon që në çdo stadium të Shqipërisë të ketë kamera sigurie, sikur të mos mjaftonin pamjet ku agresorët janë filmuar në çdo ndeshje nga kamerat e transmetuesve zyrtar të ndeshjeve dhe reagimi ka qënë zerro.

Nëse kjo është një betejë juridike jemi gati ta sfidojmë. Nëse është një betejë burokratike jemi gati ta injorojmë. Nëse është një betejë për të ndihmuar futbollin jemi gati të bashkëpunojmë siç kemi kërkuar gjithmonë, në mënyrë që loja më e dashur e sportdashësve shqiptar të mbetet më e mira.

Së fundmi, duket sikur Policia e Shtetit jeton në një planet tjetër kur deklaron se futboll në Shqipëri duhet të lejohet të luhet vetëm në dy stadiume, në Shkodër dhe Elbasan, pikërisht në ato stadiume që menaxhon FSHF. Për fat të keq ky është realiteti shqiptar, ku organi që ka për detyrë të ruajë rendin dhe sigurinë publike na mëson se si mund ta bllokojmë lojën më të bukur në botë. Është e trishtueshme të vëresh që organi shtetëror që duhet të kryejë detyrën dhe të na ndihmojë, bën thjesht karshillëk me realitetin shqiptar të futbollit.

Gati qesharake, që për tu fshehur pas të vërtetës, na kërcënojnë se do të denoncojnë FSHF-n si organizatore të aktivitetit. Ne duhet ta mirëkuptojmë Policinë e Shtetit, që duhet të ruajë godinën e Parlamentit dhe ligjvënësit, që nuk mund të komunikojnë me popullin pa pjesëmarrjen e policisë në Parlament. Ndërsa ata, nuk na mirëkuptojnë ne për një dëshirë të thjeshtë, që ka nisur në vitin 1900 në këtë vend:

Të luajmë futboll, të kënaqim popullin dhe ta bëjmë krenar atë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: