Prej ditësh vazhdon “gjuetia” e FSHF-së për të përzgjedhur trajnerin që do të pasojë Xhani De Biazin në krye të Kombëtares shqiptare të futbollit. Në mediat italiane janë lakuar shumë emra dhe një sërë kandidatësh kanë dalë në skenë. “Panorama Sport” ka mësuar edhe prapaskenat e fundit në lidhje me situatën e drejtuesve të lartë të federatës në lidhje me këtë çështje.

Klarens Sedorf
Holandezi është një nga preferencat kryesore të Armand Dukës. Kreu i FSHF-së është i prirur për t’ia besuar ish-milanistit pankinën e Kombëtares. Jo vetëm kaq, por burime të “Panorama Sport” kanë bërë me dije faktin se palët janë takuar dhe kanë diskutuar për këtë mundësi. Prapaskena e këtij takimi ka të bëjë me faktin se holandezit nuk i ka pëlqyer “ultimatumi” i vendosur nga federata për arritjen e kualifikimit të padiskutueshëm në edicionin e “Euro 2020”.

Gjithashtu, kushtet financiare të kontratës nuk e kanë lënë krejtësisht të kënaqur holandezin, mirëpo kjo është diç- ka për të cilën ai e ka lënë të hapur mundësinë e negociatave. Sedorf pëlqehet nga numri një i federatës, me gjithë eksperiencën jo shumë të madhe që ai ka në trajningun e skuadrave. Sedorf ka drejtuar Milanin për një sezon dhe më pas është ulur në pankinën e Shenzhen në vitin që shkoi.

Kristian Panuçi
Shkolla italiane e futbollit duket se ka prioritet në zgjedhjen e trajnerit të ri të Kombëtares. Orët e fundit në skenë ka dalë edhe emri i ish-mbrojtësit të kombëtares italiane, Kristian Panuçi. Italiani është një kandidaturë e mirë, pasi për momentin është i lirë dhe pa skuadër, por presidenti Duka është në pritje të vendimit të Sedorf, pavarësisht se as me holandezin nuk ka asgjë të sigurt për marrëveshjen.

Të njëjtat burime për gazetën bëjnë me dije se edhe me Panuçin është planifikuar një takim për të diskutuar kërkesë-ofertat mes palëve. Panuçi karrierën e tij në drejtimin e ekipeve e ka nisur si asistent i Fabio Kapelos në kombëtaren ruse dhe më pas ka drejtuar skuadrat e Livornos dhe Ternanës.

Valter Zenga
I fundit, por jo për nga rëndësia është kandidatura e Valter Zengës. Ky i fundit ka një karrierë të pasur me skuadra që ka drejtuar dhe është krejtësisht i hapur për të marrë postin e Kombëtares, gjë të cilën e ka konfirmuar për “Panorama Sport” në një intervistë ekskluzive.

Tani që rrethi është ngushtuar ndjeshëm, alternativat po pakësohen dhe FSHF duket se është pranë verdiktit final në përzgjedhjen e trajnerit. Megjithatë nuk përjashtohen as emrat surprizë me të cilët mund të arrihet akord.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb