SPAK ka zbardhur detaje të reja nga dosja hetimore ndaj ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja. Prokuroria e Posaçme nga zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin e krimit, Sky Ecc ka zbuluar se Çyrbja njoftonte personat në kërkim ndërkombëtar t’i fshiheshin autoriteteve ligjzbatuese. Jurgis Çyrbja ishte një nga përdoruesit e aplikacioneve të koduara dhe të njohura për përdorim nga grupet kriminale.

Sipas SPAK, ish-deputeti socialist ka nxjerrë të dhënat sekrete duke iu ardhur në ndihmë grupeve kriminale që t’i shpëtonin drejtësisë. SPAK ka evidentuar komunikimet në Sky mes Çyrbjes dhe “të fortit” të Shijakut, Altin Hajri të cilin e njoftonte për operacionit që zhvilloheshin për arrestimin e tij. Komunikime në Sky Ecc ka edhe mes Ahmet Mashës i njohur si “Meçe” i arrestuar dje, me Jurgis Çyrbjen dhe Altin Hajrin.

Në këmbim të mbrojtjes nga arrestimi, Çyrbja i kërkonte “të fortit” të Shijakut ta ndihmonte me vota gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 2021, ku deputeti socialist kandidonte në Qarkun e Durrësit, ku rezultoi i treti më i votuar pas kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Pjesë nga dosja e SPAK
I hetuari J.Ç., për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga ana tjetër personi nën hetim A. H., në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga i hetuari J.Ç., i ofronte këtij të fundit që të votonte si dhe të siguronte votues në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

SPAK bën të ditur se Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri kanë konsumuar elementët e veprave penale si më poshtë:

i. “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, kryer më tepër se një herë, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal, pa autor.

ii. “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” kryer nga shtetasi Jurgis Çyrbja më tepër se një herë (sipas episodeve respektive), parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal.

iii. “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer nga shtetasi Jurgis Çyrbja, më tepër se një herë (sipas episodeve respektive), parashikuar nga nenet 302/1/2 të Kodit Penal.

iv. “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim nga shtetasit Jurgis Çyrbja, dhe Ahmet Masha, parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.

v. “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim nga shtetasit Jurgis Çyrbja, dhe Ahmet Masha, parashikuar nga nenet 302/1 dhe 25 të Kodit Penal.

vi. “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer nga shtetasi Jurgis Çyrbja parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, si dhe

vii. “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, kryer nga shtetasi Altin Hajri parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb