Të hënën Google ka lancuar raportin e saj më të fundit mbi transparencën qeveritare, i cili tregon se ka një rënie të vogël të kërkesave nga qeveritë e botës për fshirje të materialeve. Raporti i nëntë i kompanisë përfshin periudhën 6-mujore nga qershori deri në dhjetor të vitit 2013, gjatë së cilës periudhë Google ka pranuar 3,105 kërkesa qeveritare për heqjen e 14,637 pjesëve të përmbajtjes. Gjiganti i internetit thotë se këto shifra paraqesin një rënie të vogël nga pjesa e parë e vitit 2013, kur kompania kishte pranuar “një numër të madh” të kërkesave për fshirje të materialeve nga Turqia. Por, ndërsa Turqia është qetësuar, kërkesat nga Rusia janë shtuar me 25 për qind në krahasim me periudhën e kaluar raportuese, thotë Google. Për më tepër, edhe kërkesat nga Tajlanda dhe Italia kanë shënuar rënie. Në pjesën e dytë të 2013, tri produktet nga të cilat qeveritë dërguan kërkesa për fshirje, ishin: Blogger (1,066 kërkesa), Kërkime (841 kërkesa) dhe YouTube (765 kërkesa). “Gjatë kësaj periudhe, 38 për qind e kërkesave qeveritare për fshirje përmendin shpifjet si arsye për fshirje, 16 për qind përmendin gjërat e turpshme dhe nudizmin, si dhe 11 për qind privatësinë apo sigurinë”-shkruan Koha.net. Në ndërkohë, Google thotë se në pjesën e dytë të vitit 2013 ka pranuar kërkesat e para qeveritare nga Kosova. Forcat e rendit dhe ligjit nga Kosova kanë kërkuar heqjen e dy videove në YouTube që shfaqin të mitur duke u rrahur.  “Raporti ynë i Transparencës nuk është një pikëpamje gjithëpërfshirëse e censurës on-line, por ai hedh dritë mbi gjërat që qeveritë dhe gjykatat kërkojnë nga ne që t’i fshijmë, duke vënë në pah rëndësinë e transparencës rreth proceseve kërkesave të tilla”-thotë Drejtori Ligjor i Googles, Trevor Callaghan.

(os.de/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: