Jakup Krasniqi është ftuar nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar. Ai sot do të niset drejt Hagës Këtë e ka bërë të ditur deputeti i Nismës, Bilall Sherifi, i cili e ka postuar një fotografi në profilin e tij në Facebook bashkë me Krasniqin.


Përveç Sherifit, Krasniqin po e shoqërojnë edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, si dhe Baton Dushi e Dardan Krasniqi nga Nisma. Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, konfirmuar se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për t’u paraqitur për intervistim. Lajmin e kishte bërë të ditur në llogarinë e tij në Facebook.


Megjithatë, Krasniqi nuk ka treguar se në çfarë cilësie është ftuar nga Gjykata Speciale. Kjo ftesë e Speciales për Krasniqin vjen pas ftesës që i është bërë Ramush Haradinajt.


Edhe Haradinaj sot do të niset drejt Hagës, këtë ai e ka bërë të ditur të hënën mbrëma në emisionin Pressing në T7. “Po, nesër do të nisem”, ka thënë Haradinaj.

(Balkanweb)