Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin ka zhvilluar sot mbledhjen e parë të konstituimit. Kryetari Fatmir Xhafaj shpjegoi në fjalën e tij fushën e veprimit të këtij komisioni, impaktin te qytetarët dhe integrimin e vendit në BE, si dhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes.

Ky komision do të synojë të adresojë çështje me rëndësi jetike që shkojnë përtej interesit të partive tona, i shërbejnë forcimit dhe modernizmit të shtetit, të ardhmes së vendit tonë. I keqardhur që opozita nuk i është përgjigjur këtij detyrimi të përbashkët. Kam bindjen se do të jetë një proces gjjthëpërfshirës”, deklaroi Xhafaj.

Më tej ai tha se procesi do duhet të ecë përpara, me përfshirjen e të gjithë aktorëve të mundshëm ashtu siç u veprua edhe me reformën në drejtësi.

Edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e pranishme në mbledhje, është shprehur e keqardhur për mungesën e opozitës teksa theksoi se ky komision nuk ka asnjë ngarkesë politike apo interes partiak.

“Ka një mision të rëndësishëm kombëtar, me përgjegjësinë që Kuvendi i ka ngarkuar për kurorëzimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, përmes sundimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit, komisioni do ketë mbështetjen e plotë të Kuvendit dhe timin personal. Komisioni nuk ka asnjë ngarkesë politike apo interes partiak. Duke qenë se është komision gjithëpërfshirës shpreh keqardhjen që opozita nuk është prezentë”, tha Nikolla.

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali theksoi më tej se në Bashkimin Europian nuk integrohet qeveria, por Shqipëria. Ajo iu bëri thirrje deputetëve të opozitës të japin kontributin e tyre.

“Vazhdimësia drejt integrimit do të kërkojë plotësimin e reformave. Një nga sfidat kryesore lidhet me domosdoshmërinë për plotësimin e reformave, siç është reforma në drejtësi dhe reformën në administratën publike. Këto masa vijnë si manifestim dhe si besim i joni, se për këtë çështje duhet qasje kombëtare dhe gjithëpërfshirje. Në BE nuk integrohet qeveria, por shteti shqiptar. Dora jonë për deputetët e opozitës, mbetet e shtrirë”, tha Spiropali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb