TIRANË

Akademiku Artan Fuga ka bërë një deklaratë të fortë sot në “A show” në News24. Duke komentuar situatën në Akademinë e Shkencave ku është anëtar, Fuga tha se do të dorëhiqet nëse vazhdon ky model, duke iu referuar një projektligji që sipas tij nuk sjell asnjë lloj reformimi.

“Është një institucion pa produkt, harxhon paranë publike duke e shpërdoruar atë. nuk ka dinamikë. Nuk merr pjesë për të promovuar mendimin intelektual për problemet që ka kombi. Ishin studentët në rrugë, cili është mendimi i Akademisë?!

Kush e di gjendjen intelektuale të kombit, kush e di gjendjen e gjuhës së kombit, kush e di raportin e shqiptarit me traditën, vlerat?

Problemi është se një grup prej 15 deputetësh ka vajtur në Ministrinë e Arsimit, ka rrëmbyer një dokument duke e nxjerrë jashtë loje Ministrinë e Arsimit, pa pyetur komunitetin intelektual dhe universitar të vendit, i cili është shprehur se si duhet të jetë Akademia e Shkencave, duke e injoruar totalisht ky grup deputetësh, pa e lexuar ligjin, kanë dorëzuar si projektligj në Kuvendin e Shqipërisë një dokument që kur pyet po cili është ndryshimi, çfarë reformimi sjell ky pr.ligj që ka bërë Akademia për të ruajtur privilegjet e veta dhe e ka vënë kryeministrin e Shqipërisë në pozicionin që shumë shpejt ai do të shohë se ajo që ai shprehu publikisht se donte një reformim, do të shohë se 15 deputetë të tij do t’i sjellin në tavolinë një dokument ku nuk ka asnjë lloj reformimi.

Në qoftë se Akademia do të vazhdojë të ketë këtë model, do të largohem nga ajo Akademi, do ta dorëzoj mandatin tim dhe të jetë kjo sakrificë edhe një zë qoftë në shkretëtirë për të sensibilizuar rininë shqiptare, intelektualët shqiptarë, universitarët shqiptarë dhe për të treguar që aty ka një shqetësim të madh. Pra do të jap dorëheqjen nëse situata do të jetë kështu siç është sot”, deklaroi Fuga.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb