Fshati turistik i Funarit i cili ndodhet në bashkinë e Elbasanit ka njohur një rritje të ndjeshme të vizitorëve në vitet e fundit. Ky fshat nga viti në vit ka arritur të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë si vendas ashtu edhe turistë të huaj falë bukurisë natyrore si edhe mikpritjes së ngrohtë që ofron për të gjithë. Fluksi më i madh i turistëve në këtë fshat është gjatë fundjavave kur Funari mbushet me grupe vizitorësh që zgjedhin të kalojnë të paktën dy ditë në natyrën e mrekullueshme të këtij fshati por është edhe fshati më i preferuar për të organizuar piknik nga grupet rinore dhe jo vetëm .Gjatë fundjavës së kaluar si të shtunën ashtu edhe të dielën, Funari ishte i mbushur me grupe turistësh nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe më gjerë. Moti i ngrohtë i fillimit të pranverës dhe gjelbërimi i natyrës që karakterizon këtë periudhë të vitit bënin që kalimi i fundjavës pranë bregut të liqeneve dhe masiveve pyjore të Funarit të ishte një eksperiencë fantastike për ata që e vizituan. Mjaft grupe turistësh kishin organizuar piknik në këtë ambient të jashtëzakonshëm duke shijuar ajrin e pastër dhe bukuritë e natyrës.
Disa prej turistëve të pranishëm ishin vizitorë për herë të parë këtë fshat turistik dhe treguan se ishin mrekulluar nga peizazhi dhe natyra e paprekur që ofron Funari. Ata u shprehën se vendi ishte një arratisje ideale nga zhurma e qytetit dhe një mundësi për të shijuar një natyrë të pastër dhe me bukuri mahnitëse . Përveç kësaj disa grupe të rinjsh që vinin nga qytete si Tirana, Tepelena, Skrapari, Lushnja dhe Durrësi theksuan se ishin shumë të impresionuar nga natyra fantastike, gjelbërimi i jashtëzakonshëm, liqenet dhe mikpritja e ngrohtë e banorëve të zonës. Ata gjithashtu u shprehën të entuziazmuar për kulturën, traditat dhe kulinarinë që ofron Funari duke vlerësuar shumë autenticitetin e këtij fshati.
Ndërkohë, një çift elbasanas që jetojnë e punojnë prej vitesh në Amerikë ishte po ashtu pjesë e grupeve turistike që vizituan Funarin këtë fundjavë. Ata ishin bashkuar me fëmijët dhe disa miq të tyre për të kaluar një fundjavë të këndshme pranë një prej brigjeve të liqeneve të këtij fshati turistik. Ata u shprehën të lumtur që po kalonin kohë me miqtë e tyre në një vend kaq të mrekullueshëm. Një nga ata tha se “Shqipëria është fantastike dhe ndjehemi krenarë për destinacionet turistike të preferuara nga e gjithë Bota që ka vendi ynë.” Ky mendim i tyre është një pasqyrim i interesit të madh që ka Shqipëria për t’u shndërruar në një destinacion turistik të njohur për të huajt, ku Funari është një shembull i shkëlqyer.
Një tjetër histori interesante erdhi nga një grua e moshuar banore e fshatit Funar e cila po kalonte një ditë me mbesat e saj të mitura në kullotën e bagëtive pranë liqeneve të fshatit Funar ku edhe jeton . Ajo u shpreh shumë e lumtur që fshati i saj po vizitohet nga turistë të shumtë si vendas ashtu edhe të huaj. Sidoqoftë për tu zhvilluar një turizëm cilësor dhe i qëndrueshëm, duhet të bëhen investime më të mëdha në këtë zonë. Në Funar pavarësisht interesit të madh për investime në turizëm, aktualisht mungojnë bujtinat, kafenetë, restorantet dhe infrastruktura që kërkojnë turistët për të pasur një eksperiencë më të plotë dhe më komode. Pavarësisht kësaj dëshira e banorëve për zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e traditave të këtij fshati mbetet shumë e madhe.
Funari ofron një mundësi të shkëlqyer për ata që duan të kargohen nga zhurma e qytetit dhe të kalojnë disa ditë në natyrën e pastër dhe mikpritjen e ngrohtë të banorëve të tij. Megjithatë, për të realizuar potencialin e plotë turistik është e nevojshme që të bëhen investime të mëdha për të zhvilluar infrastrukturën dhe shërbimet në mënyrë që Funari të bëhet një destinacion turistik edhe më i preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj.