Këto janë ditët e fundit të këtij viti akademik për një pjesë të madhe të universiteteve publike shqiptare. Nëpër katedra korrigjohen provime, firmosen procesverbalet e fundit, bëhen mbrojtjet e diplomave. Studentët përjetojnë ankthet dhe emocionet e fundit akademiko-administrative për një vit të pazakontë dhe të shtyrë në kohë si ky.

Këtu e shtatë muaj më parë, një masë e stërmadhe studentësh u derdh rrugëve të Tiranës për të protestuar për tarifa të padrejta, kushtet e këqija të konvikteve dhe në thelb për një arsim më të mirë. Ato ditë të dhjetorit qenë dramatike për çdo universitar, qoftë student qoftë pedagog. Çdo herë me dilemën e madhe në duhej shkuar në auditor apo në protestë. Duhej folur apo duhej heshtur. Duhej mbajtur anë haptazi apo duhej strukur koka si e strucit.

Bota e universitetit është në një farë staniacioni kur vjen puna te nevoja për të ndjekur zhvillimet e ditës. Ka atë autonominë e vet, ndonjëherë edhe disi letargjike, ku supozohet të zhvillojë veprimtarinë akademike, pa u ndikuar drejtpërdrejt, nga ç’ndodh, bie fjala me politikën, zhvillimet e atypëratyshme mediatike apo shoqërore. Pra ajo, si rregull, ka “luksin” të mos përgjojë ç’ndodh ditë pas dite, por të hulumtojë rreth një fushe të caktuar të dijes, që mund të jetë krejt e largët dhe e pandikueshme nga rendi i së përditshmes.

Por protesta e dhjetorit 2018 e përfshiu gjithë universitetin në një vrundull ngjarjesh, personazhesh dhe kërkesash që kërkonin zgjidhje. Të gjithë ne të universitetit dhe ata të cilët na patën poshtë zyrave duke protestuar, ndiqnin me ankth zhvillimet dhe lojën e nervave dhe rezistencës.

Kryefjala e protestës ishin studentët. Falë protestës së tyre masive u duk se po shkundej, jo vetëm vetëdija e pluhurosur e disa individëve nëpër universitete, por edhe pluhuri thuajse dogmatik i idesë se shqiptarët nuk ngrihen dot të protestojnë, sepse kanë rënë në një gjendje të tmerrshme apatie. Madje, lavdërime për protestën e tyre, studentët morën dhe nga qeveria. Ajo i falënderoi për shuplakën e dhënë me anë të kësaj proteste. Duke mos harruar madje që këtë “shuplakë” ta interpretonte sipas filozofisë zvetnuese “kush të rreh të do”.

Gjatë dhjetorit dhe ditëve të para të janarit, pati shumë ndër ata që u stërmunduan ta mbanin gjallë shpirtin e protestës, sepse kërkesat e studentëve nuk ishin plotësuar. Pastaj me studentët i bashkuan radhët entuziastë që mezi ç’prisnin një shenjë jete protestuese, tuhafë që mezi ç’prisnin ta fusnin fytyrën në një kuadër kamere dhe të shijonin famën e freskët, sharlatanë që mezi ç’prisnin të përçanin studentët, në mënyrë që të risundonte qeveria.

Pedagogët po ashtu bënë përpjekje për të shtrënguar radhët. Disa syresh provuan gjatë asaj kohe sulme të paprecedenta, shpesh në grup e herë të tjera edhe ad hominem. Të tjerë, duke përgjuar gjithë frikë mos u përmendej emri për ndonjë “faj të vockël”, zgjodhën taktikën e heshtjes si kapak floriri. Epo diçka duhet të kenë ditur, kur parashikonin që kjo punë do të shuhej, me shpresë, me sa më pak dëme për integritetet shkencore. Gabimi i madh i stafeve akademike ishte ngurrimi për t’iu bashkuar sa më shpejt protestës, për të ngritur problemet e tyre, në një masë tepër të madhe të njëjta me ato që kishin artikuluar tashmë studentët. Megjithatë duhet kuptuar që kjo masë protestuesish do të ishte më e vogël, krahasuar me studentët dhe lehtësisht më e trysnueshme. Pak mund ta kenë luksin të protestojnë përballë një qeverie hakërryese e hakmarrëse, kur paga jote mujore është 73 000 lekë dhe me to ke familjen për të mbajtur, kredi për të paguar dhe konferenca e kërkim shkencor për të bërë. Në këto kushte, shumë zgjodhën “të rrinë urtë” duke rënë ndesh me shqetësimet e tyre që i nëpërdhëmbin me kolegë ditë për ditë, dhe me frymën e përgjithshme antikonformiste që duhet të ketë intelektuali apo akademiku.

Qeveria futi në ligjërimin publik pyetjen thuajse retorike “kur do flasim”, telikosi fjalën kyçe “dialog” dhe premtoi një marrëveshje me emër pompoz “pakt”, të cilin studentët u shtrënguan ta pranonin në heshtje. U premtuan godina të rinovuara konviktesh, po këto numërohen me gishtërinjtë e dorës; u premtua biblioteka online, po ajo është më keq se biblioteka online e ndonjë universiteti të dorës së shtatë, ku nuk gjen asnjë nga titujt klasikë apo të rinj të disiplinave përkatëse; u premtua kartë studenti, po kjo u pa si kartë me përfitime elektorale vetëm për Tiranën; u premtua ulje tarifash, por V.K.M.-ja i parashikonte ato vetëm për vitin akademik që sa po mbyllet.

Megjithatë, teksa administrativisht i kopsitim të gjitha letrat e shkresat, nuk mund të mos marrim pak kohë për të reflektuar. Çfarë ndryshoi realisht për mirë në universitete pas kësaj proteste? Si e ndihmoi ky vit akademik i pazakontë profesoratin, në mënyrë që të reflektonte? Po studentët tanë kurajozë e qëndrestarë, kur u kthyen në auditor a patën vendosmërinë për t’i qëndruar kauzës, qoftë edhe duke studiuar ca orë më tepër çdo ditë? Po ata, tahmaqarët e famës, kauzën e cilit grup do të përpiqen të rrokin tani, për ta lartësuar imazhin e tyre publik?

Dikush tha se entuziazmi efemer i studentëve për protestë mbaroi pasi u shkruan të gjitha memet nëpër pankarta, pasi u shkrepën të gjitha fotot për news feed-et e ‘Instagramit’ dhe pasi u shtrinë në çdo shtëpi tentakulat e presionit qeveritar. Ndoshta, ndoshta…

Megjithatë, kemi ende një mal me gjëra për të bërë e për të ndrequr, të gjithë. Sakaq, unë po e nis aplikimin për një konferencë në Itali, po lexoj abstraktin e punimit të një mësueseje të ardhshme, po e firmos edhe një procesverbal, po i shtoj dy-tri komente në tezën e diplomës së Edonës dhe Rezartës. Tezat e tyre janë shumë të mira; ma forcojnë besimin se universiteti ende ka shpresë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb