GRAMSH- Minuta tmerri kanë kaluar 9 banorë të fshatit Grazhdan në Gramsh. Kjo pasi automjeti me të cilin udhëtonin është rrëmbyer nga rrjedha e ujit. Mjeti tip “Land rover” me targa AA 649 AK është rrëmbyer nga rrjedha e lumit të Gribës ndërsa transportonte njerëzit nga fshati Grazhdan për në Gramsh.

Ura që lidh fshatin me qytetin është në rikonstruksion dhe banorëve nuk u ngelet zgjidhje tjetër përveçse të kalojnë përmes lumit.

Mjeti tip “Land rover” që përdoret për transportin është përshtatur për 14 persona ndërkohë sot po udhëtonin me të 8 pasagjere dhe shoferi. Ndërsa mjeti ka nisur të mos komandohet nga shoferi dhe e ka marrë rrjedha pasagjerët kanë dalë menjëherë por shoferi ka mbetur i bllokuar për disa minuta për shkak të nivelit të ujit, i cili nuk lejonte hapjen e derës.

Fatmirësisht një tjetër banor që po lëvizte me kamion ka ndërhyrë duke e nxjerrë. Sapo ka dalë shoferi fuoristradën e ka marrë lumi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb