DIBER- Seri aksidentesh në Qarkun e Dibrës. 10 persona janë lënduar mëngjesin e sotëm duke udhëtuar në rrugën nacionale Bulqizë- Peshkopi nga prania e akujve dhe ngricave në disa segmente në Qafën e Buallit, tek Pishat në Fushë-Bulqizës si edhe tek ura e Topojanit.

Tre persona janë plagosur mëngjesin e sotëm teksa udhëtonin me një furgon. Ngjarja është regjistruar në aksin rrugor Bulqizë-Peshkopi, teksa një furgon që transportonte pasagjerë ka rrëshqitur si pasojë e akullit dhe ngricave në rrugë. Furgoni ka dalë nga rruga në afërsi të Urës së Topojanit, ndërsa mësohet se tre prej pasagjerëve janë plagosur.

Ndërsa tre automjete të tjerë kanë dalë nga rruga në vendin e quajtur tek Pishat në Fushë- Bulqizë. Në gjithë qarkun e Dibrës raportohet se 7 persona janë paraqitur në Spitalin e Peshkopisë dhe tre të tjerë në spitalin e Bulqizës. Personat e lënduar kanë qenë pasagjerë apo drejtues mjetesh. Policia rrugore ka mbërritur në vendngjarje dhe u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të vendosin zinxhirë në qarkullim. Mësohet gjithashtu se në Qafën e Buallit- Peshkopi po vijohet të hidhet kripë dhe skorje në disa segmente problematike.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: