Një furtunë shkarkimesh ka ndodhur në Kadastrën e Vlorës, ku mësohet se kanë ikur “kokat” më të larta të këtij institucioni. Gazetari Enrik Mehmetaj raporton për “BalkanWeb” se është shkarkuar nga detyra kreu i Kadastrës, Florjan Alimadhi, i cili mbante këtë detyrë prej muajit maj të këtij viti.

Ai është zëvendësuar me Alteo Nazërajn, i cili nga sot do të drejtojë Kadastrën e Vlorës. Nazëraj ka punuar si specialist në drejtorinë e Hipotekës prej 10 vitesh, ndërsa me profesion është jurist.

Gjithashtu, është shkarkuar nga Kadastra edhe nëndrejtori Klodian Troci, i cili është zëvendësuar me Krenar Xhemalin, si dhe një numër i pakonfirmuar specialistësh.

Kujtojmë që Drejtoria e Kadastrës Vlorë ka qenë një nga Drejtoritë më problematike ndër vite lidhur me çështjet e pronave në hipotekë.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb