Nga: KIÇO BLUSHI*
Nuk ka ditë të mos ketë lajme të bujshme nga të gjitha krahinat e katundet e Shqipërisë, të njohura e të padëgjuara kurrë më parë, për operacione policore në zbulimin dhe asgjësimin e plantacioneve të mbjella me kanabis.
Duket sikur Policia e Shtetit ka vetëm këtë detyrë madhore: gjurmimin, zbulimin dhe më pas djegien e drogës kudo, edhe nëpër rrëpira, ku edhe dhitë nuk kanë shkelur. Buja dhe gëzimi i vënies nën kontroll, pas disa dhjetëvjeçarësh, i “republikës së Lazaratit”, që përfshiu me një ngazëllim të parrëfyer jo vetëm opinionin tonë publik, po edhe atë botëror, për fat të keq nuk zgjati shumë. Operacioni në Lazarat përditë e më tepër po i ngjan asaj ndërhyrjes kirurgjikale të suksesshme në një trup të identifikuar me kancer: tumori u hoq, por metastazat, pas disa ditësh, mbuluan më pas të gjithë trupin.
Askush deri tani nuk ka kërkuar shkaqet. Asnjë parti, qeveri apo udhëheqës nuk ka marrë asnjë lloj përgjegjësie përse Shqipëria në këto vite u kthye në një Kolumbi të Ballkanit. Edhe pse thuhet që ne kemi shtet ligjor, për ndëshkim ligjor as që bëhet fjalë. Ndjesë jo se jo, pasi ndjesa quhet autodemaskim, faj i pranuar, dobësi, zhburrërim, dështim. Sepse krerët tanë karizmatikë e të vetëkarfosur denbabaden kanë pasur vetëm “suksese”, ndaj kujtojnë se historia është e detyruar t’u vejë pas, si manar. Kur thuhet “historia”, ata nënkuptojnë “ne delet”, d.m.th. ne qytetarët. Andaj askujt syresh nuk i vret ndërgjegjja për të pyetur më së paku veten se përse shumica e shqiptarëve, për të mbijetuar, kanë vetëm këto zgjidhje: ose të shesin çikërrima nëpër trotuare, ose të ikin nga sytë këmbët në emigracion, ose të qëndrojnë këtu e të jenë të detyruar t’i thonë burgut ‘hapu’, duke u marrë me këto lloj veprimtarish të rrezikshme e kriminale, të panjohura më parë, si: droga, trafiqet, kontrabanda, evazioni fiskal, prostitucioni, vjedhjet dhe vrasjet me pagesë…
Bilanci i rrënimit moral, ekonomik dhe mjedisor, mjerisht te ne është në nivelin më të lartë në Ballkan. Aktualisht ne zëmë vend të parë në Evropë jo vetëm për prodhimin e trafikimin e drogës (që tanimë matet me tonelata), por edhe për emigracion. E megjithatë krerët tanë flasin për suksese, kur janë në pushtet, për dekriminalizim, kur janë në opozitë! Ky “proces” quhet rotacion.
Flasin e molloisin pa u lodhur për dekriminalizim të politikës politikanët e lartë, përfshi dhe ambasadën amerikane dhe atë të BE-së, paçka se përherë kopili do të mbetet në derën e tjetrit, shumë-shumë duke përmendur dy-tri emra, si ai, së fundi, i Arben Ndokës…Por tanimë u përditësuam me lajmet e drogës, njëlloj si me akuzat dhe vrasjet, ndaj nuk kërkon kush të dijë kush është përgjegjës e kush është fajtor për kriminalizimin e shoqërisë në shkallën më të lartë. E pra, flasin për dekriminalizim pikërisht ata që janë shkaktarët e kësaj rropame tragjike, të pashembullt në historinë tonë, edhe kur nuk ishim me shtet të mëveçëm. Mburren kur mbyllet me operacion policor Lazarati, por askush nuk ndihet përgjegjës e nuk ndëshkohet përse u lazaratizua ndërkohë e gjithë Shqipëria.
Sepse, a ka kriminalizim më të madh, historik madje, sesa kthimi i territorit të Shqipërisë në një plantacion gjigant droge?
Veç të tjerash, i gjithë ky prodhim, e gjitha kjo fushatë korrje-shitjesh të drogës në tregun botëror tregon që te ne tanimë ka një “ekip” mafioz të mirorganizuar, të pacenueshëm, pse jo edhe të paprekshëm. Dhe se operacionet e policisë, sado të suksesshme e të mbështetura nga logjistika e policisë italiane për të zbuluar dhe djegur parcelat, nuk do të mbyllin dot përhapjen e mëtutejme të kësaj metastaze. Derisa nuk është zbuluar e kuruar shkaku (papunësia dhe varfëria), dhe sidomos nuk janë kapur e ndëshkuar ai/ata që e drejtojnë këtë “biznes”, zor se mund të besohet se dekriminalizimi ka për të sjellë edhe delazaratizimin e shoqërisë, që është problem dhe halli aktual më madhor e më i vështirë.
Prandaj në këtë shkretëtirë të paanë skrapizimi të gjithçkaje, në këtë klimë papunësie, fukarallëku, trafiqesh, korrupsioni dhe mosbesimi të ndërsjellë, kurrë nuk do të dëgjojmë të na thuhet, jo vetëm nga mediat, por as nga organet e Prokurorisë, se cilët janë pikërisht ata që na kanë çuar në këtë derexhè…
Ashtu si në Lazarat u ndëshkuan vetëm disa adoleshentë, por jo krerët e bosët, të cilët vazhdojnë të drejtojnë trafikun e drogës, ashtu si u krye lazaratizimi tejembanë i Shqipërisë, nj’ashtu ka për të ndodhur, me sa duket, edhe me reformën e shumëpritur të Drejtësisë: faji do të hidhet mbi më fukarenjtë, mbi më të pambrojturit. A nuk po veprohet kështu edhe me taksat? Deficitet nga tatimet, doganat dhe nga evazioni fiskal, tanimë po kërkohet të mbulohen me taksimin e më të varfërve. Që do të thotë: jo vetëm të papunët, po edhe ata që janë në punë nesër do të detyrohen të paguajnë paaftësinë (e pandëshkuar) të qeverisë.
Tekefundit, kjo a nuk do të thotë që nesër shtresat e mesme dhe ato në nevojë të detyrohen t’i drejtohen rrugës së trafiqeve dhe korrupsionit? Pse jo edhe të drogës? E pra, kjo është zgjidhja? Prandaj edhe ky operacion, njëlloj si ai i mbylljes së kultivimit të drogës vetëm në një fshat si Lazarati, e që më pas solli lazaratizimin e vendit, ka për të provuar se cikli i krizës sa vjen e do të bëhet edhe më i mbyllur. Që do të thotë: qeveria do të vazhdojë të bëjë sikur lufton për interesin publik, drejtësia do të bëjë sikur jep drejtësi, policia bën sikur i djeg plantacionet e drogës, pluralizmi, edhe pse me ca “të meta kalimtare”, bën sikur funksionon, ndërsa fëmijët e politikanëve ndërkohë i bëjnë pushimet nëpër hotelet më të shtrenjta të botës, me pesë yje.
Afërmendsh nuk e kanë fajin sistemi, demokracia, liria dhe liberalizmi, por ata liderë furacakë që përherë ikin në drejtim të paditur… Jo jo! Në fakt, ata nuk ikin në drejtim të paditur si ikën Zogu dhe Noli dikur, as si kriminelët ordinerë, por në drejtimin e duhur, duke u ngjitur lart e më lart, me votat tona, jo vetëm me pasuri, po edhe me paprekshmëri. Kjo është çështja!
E pra, a do ta zgjidhë këtë ngërç metastaze reforma e shumëpritur në Drejtësi? Kur një pacient vdes në sallë të operacionit për faj të kirurgut, a do të ketë mjekë që mund të dëshmojnë para gjykatës se faji ishte i kolegut të tyre, pa pasur frikë se nesër mund ta pësojnë vetë? E pra, ja përse te ne përherë fajin do ta ketë ai që vuan, ai që shtypet, ai që vdes. E njëjta gjë mund të hamendësohet edhe për gjykatësit, prokurorët dhe politikanët e të gjitha krahëve. Të gjithë këta nuk mund të ndëshkojnë tjetrin, pasi kanë frikë për veten, ngaqë edhe vetë janë të tillë. Kjo e ka shpëtuar jo vetëm Berishën. Dhe ngaqë “ata lart” e dinë, më mirë nga ne, ç’do të thotë të jetosh në një shtet të lazaratizuar kësisoj. Se ke favore, por ke edhe rrezik të shtuar e të paparashikueshëm po të ndahesh nga tufa, d.m.th. po të tregohesh i ndershëm. Ky është “uniteti” real i partive rreth kryetarit përkatës.
Ja përse u lazaratizua Shqipëria. Dhe më kryesorja: ja përse dekriminalizimi, teksa synon mënjanimin e dy apo tre politikanëve të identifikuar si të tillë, nuk mund të kryejë edhe delazaratizimin e shoqërisë, jo vetëm pse perceptohet si fushatë, por edhe pse po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjenden “duar të pastra” për të vendosur normalitetin.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: