Analisti Arion Sulo, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 komentoi fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit 2025.

Sulo tha se po përdoret infrastruktura shtetërore, që qeveria të marrë më tepër vota. Sipas tij, Sali Berisha nga ana tjetër ka aktivitet të dendur politik dhe se dallon nga të tjerët në Partinë Demokratike, teksa zëri i tij dëgjohet më shumë.

“Në lidhje me fushatën, po përdoret infrastruktura që qeveria të marrë më shumë vota. Në disa raste është shkelur ligji zgjedhor. Kulmi do arrijë tek diaspora, ku PS synon që të marrë dhjetëra mandate. Do të shikojmë elementët kriminalë sesi do të shfaqen në këto zgjedhje. Urojmë që të kemi tërheqje të grupeve kriminale, për shkak të goditjeve të SPAK. Tek PD, e shikoj Berishën me aktivitet të dendur politik, ndërsa pjesën tjetër të shkëputur nga lideri demokrat”, tha Sulo.

Në lidhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, për Sulon ato janë të diktuara nga qeveria.

“Gjykata Kushtetuese lan duart, gjen justifikime, drejtësia duhet të japë drejtësi në kohë. GJK nuk vendosi dot as për rastin e mandatit të Olta Xhaçkës. Drejtësia është vënë në shërbim të qeverisë. Gjykata Kushtetuese punon për maxhorancën”, u shpreh ai.

Arion Sulo deklaroi se Shqipëria, për fat të keq nuk ka terren normal politik. Për të, duhet që të pranohet qeveria teknike, që vendi të ketë një terren më të përshtatshëm politik.

“Pyetja se çfarë duhet të bëjë PD ka vend, kur kemi terren normal politik. Në Shqipëri nuk ka terren normal politik dhe PS ka fituar duke mos pasur program, por fiton duke dhënë legalizime, paratë e tërmetit, kjo ndodh në Shqipëri. Opozita të bëjë çfarë të dojë, të sjellë dikë edhe nga Amerika, do ta kishte shumë të vështirë, sepse realiteti është i ashpër. Zgjedhjet besoj do ishin të lira, nëse ndërkombëtarët kushtëzojnë që grupet kriminale të rrinë larg zgjedhjeve. Nëse do kemi qeveri teknike, shoqëruar me heqje të non gratës, mund të kemi hapje të garës. Në momentin që do vijë kjo politikë, atëherë mund të shohim më qartë. Trump është president i zakonshëm në SHBA, nuk besoj se ai do të hyjë të bëjë gjëra në vende të ndryshme të botës të menjëhershme”, deklaroi Sulo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb