VLORË

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri zhvilloi takime me banorët në rajonin nr.4 të qytetit dhe në njësinë administrative Orikum ku prezantoi Dritan Lelin dhe skuadrën e kandidatëve për këshillin bashkiak.


Kryebashkiaku Leli në fjalën e tij para banorëve u ndal tek projektet e investimeve që do të realizohen në 4 vitet e ardhshme dhe që prekin territorin e kësaj njësie administrive.



“Në Orikum fillojmë nga vjeshta projektin 4.5 milion euro për garantimin e furnizimit me ujë 24 orë të të gjithë territorit. Landfilli që është një investim rreth 25 milion euro do të zgjidhë përfundimisht problemin e plehrave në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës. Projekti që kemi realizuar bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe që do të fillojë të financohet së shpejti nga zona e tunelit deri në 3 kilometrat e para në drejtim të Radhimës. Do të vazhdojë me dy bypass-e të tjera nga 3 kilometra secili në rrugën nga Radhima deri në Orikum për të lënë të qetë zonën turistike”, theksoi Leli.

Ndërkaq, drejtuesi politik i socialistëve në Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri teksa garantoi se investimet do të vazhdojnë jo vetëm në Vlorë por edhe në Orikum, u ndal dhe tek situata politike.

“Zgjedhjet do të bëhen se pa zgjedhje nuk do ti lemë bashkitë. Do të shkojmë përditë, do të takojmë njerëz, do të bindim njerëzit pse duhet të votosh për ne. Patjetër strukturat e partisë i kemi të tilla që thonë ‘po, ne presim të marrim kaq vota’ dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Investimet do të vazhdojnë, jo vetëm në Vlorë por në të gjithë Orikumin”, nënvizoi Gjiknuri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb