Gazetari Alfred Lela, në një lidhje me Skype në News 24 komentoi zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lela tha se kjo ishte një fushatë e tensionuar, shoqëruar edhe me dy atentate ndaj Donald Trump. Sipas Lelës, Pensilvania me shumë gjasa do të jetë shteti që do të ndajë se kush e drejton Shtëpinë e Bardhë.

Më tej, Lela deklaroi se Donald Trump është kandidati që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Ai shtoi se Harris nga ana tjetër energjizoi kampin e demokratëve, që ishte fikur me presidentin aktual Joe Biden.

Alfred Lela: Është ndoshta fushata më e tensionuar në retorikë dhe jo vetëm. Është fushatë që ka pasur atentate, njëra prej tyre madje përfundoi me viktima, që nuk ishte fatmirësisht ish-presidenti Trump. Atentati ndodhi në Pensilvani, në një shtet, që vendos shumë për zgjedhjet. Në sondazhet e tanishme, në 4 është në avantazh Trump, në 2 është në avantazh zonja Harris dhe një është në barazim. Pensilvania me shumë gjasa e ndan se kush bëhet president. Kjo gjë lë të kuptohet nga ajo që po bëjnë kandidatët dhe nga sondazhet.

Gara do jetë e fortë dhe do ndahet me rezultat të ngushtë. Trump bën atë që thotë, prandaj është kaq popullor. Donald Trump është kandidati i parë që doli kundër gjuhës së drunjtë politike, që del nga rutina e zakonshme e politikës. Trump thotë gjëra që jo pak amerikanë i mendojnë dhe prandaj është kandidat i fortë. Harris ndezi motorin gjysmë të fikur, kur demokratët përfaqësoheshin nga presidenti Biden. Ky është çelësi që solli zonja Harris në fushatën presidenciale aktuale. Harris ka thënë se Amerika nuk kthehet pas, duke i veshur Trumpit veti të përçarjes së shoqërisë amerikane. Politikat e Harris janë të ngjashme me ato të Biden. Kujtojmë se gjatë presidencës së Biden ka pasur në botë dy luftëra, një në Ukrainë dhe një në Lindjen e Mesme. Trump është dikush që e polarizon politikën dhe Amerikën dhe kjo gjë shpesh aq e keqe nuk është. Harris nga ana tjetër mund të bëhet presidentja e parë e SHBA.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb