Armir Mehaj
Fushë-Arrëz – Krishtlindja i ka gjetur vetëm ashtu siç e kalojnë çdo ditë në vetmi e pamundësi për t’i bërë ballë jetës, por mosha ua ka bërë fort mirë peshën e festës e siç thonë zemra duhet të jetë plot edhe pse me zbrazëtinë që nuk e fshehin dot.
Rropaten ashtu siç munden për të bërë zjarrin që më shumë se ngrohje u shkakton tym. Lagështira është pjesë e jetës së tyre prej tërmetit që i dëmtoi banesën e zhgënjimi që askush s’u gjendet është pjesë e bisedës.
“Na ka gjetur kështu siç na sheh. Ne kemi mbaruar. Këtu bie borë, shi. Shtëpinë na e prishi tërmeti, askush nuk kujtohet as sot. Gjithë të zezat kemi”, shprehet kryefamiljari i moshuar.
“Jemi dy pleq vetëm. S’ka kush na shërben”, thotë gruaja.
Dode dhe Dava Aliaj rropaten duke besuar se Zoti është ai që kujdeset për ta dhe fatin e tyre në një cep të fshatit Kryezi pa banesa afër shtëpisë ku ata jetojnë.
Ata nuk presin investime madhore por duan vetëm evitimin e lagështirës që ju pikon mbi shtatin ku pushojnë me mendimet që ua prish nata.
(BalkanWeb)