Kryedemokrati Lulzim Basha ka shkuar derë më derë e ka bashkëbiseduar sot me banorët e Fushë-Krujës. Duke i prezantuar planin ekonomik të PD-së i pari i demokratëve premtoi vende të reja pune, çlirim të ekonomisë dhe zhdukje të krimit.

“Këto ditë kam nisur një tur për të takuar qytetarë, fermerë, të rinj, përfaqësues të biznesit të vogël, por po e shikoni që është e pamundur të bëhet tur bashkëbisedimi se në pak minuta e shihni si mbushen sheshet me njerëz që kanë shpresë se po vjen një shpresë e re. Këtu në Fushë-Krujë jam lodhur duke dëgjuar kujt i plasi tritioli sot, kujt i plasi dje, kush ngeli pa punë, histori që ma mbushin zemrën me trishtim. Kam ardhur sot që t’ju them se mezi po pres që me ndihmën tuaj, me bashkimin e gjithë shqiptarëve të flasim për vende të reja pune, për uljen e çmimit të naftës, për mundësi dhe për mirëqenie, për familje që e marrin ndihmën ekonomike. Të jeni të bindur që kjo ditë po vjen. Kjo ditë do vijë sa më shpejt të rrëzojmë këtë qeveri kriminale dhe këtë kryeministër hajdut”,- tha Basha.

Basha shtoi se për situatën e krijuar përgjegjëse është qeveria e Ramës. “Nuk ka asnjë arsye tjetër veç keqqeverisjes, taksave të shtuara, çmimit të naftës, çmimit të energjisë që rritet. Miliarda euro që ju mbledh qeveria nuk kthehen në shërbime për ju. Gjysma e maturantëve s’do kenë mundësi të shkojnë në universitet për shkak të tarifave të larta. Kjo situatë duhet të ndryshojë. PD dhe unë kemi një plan ekonomik”,- vijoi ai.

Duke u ndalur tek plani ekonomik, Basha tha se do të ulet çmimi i naftës me 300 lekë, do hiqet taksa Rama për naftën dhe do ulet çmimi i energjisë elektrike.

Duke i ftuar qytetarët e Fushë-Krujës në protestë, Basha shtoi “ Le të jetë 16 shkurti dita e parë e një demokracie të vërtetë europiane dhe çdokush ta marrë vesh që në Shqipëri që pas 16 shkurtit do vendosin shqiptarët. Ka vetëm një forcë që mund ta zhbllokojë këtë situatë dhe kjo forcë janë shqiptarët e bashkuar më 16 shkurt në Tiranë për të deklaruar fundin e banditëve”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb