Kombëtarja e vajzave ka mbyllur me sukses përgatitjet për ndeshjen e sotme ndaj Kroacisë, e vlefshme për Grupin B4 të “UEFA Nations League”.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se portierja Viona Rexhepi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Armir Grima për këtë përballje. Pavarësisht se futbollistja është mbajtur në vëzhgim nga stafi mjekësor, ajo nuk ia ka dalë të jetë gati për këtë takim të rëndësishëm. FSHF-ja njofton se pjesa tjetër e grupit është në gjendje të mirë dhe të gjitha vajzat do të jenë në dispozicion të trajnerit Grima për ndeshjen e katërt në Grupin B4 të “UEFA Nations League”.

Kombëtarja vjen në këtë sfidë pas fitores së thellë 4-0 ndaj Kroacisë në “Loro Boriçi” dhe vajzat do të synojnë një tjetër rezultat pozitiv. Ndeshja Kroaci–Shqipëri do të luhet sot në “Sport Centre Rudes” në Zagreb në orën 16:00.

Përsa i përket situatës në Grupin B4, Ukraina kryeson me pikë të plota (9), në vend të dytë renditet Çekia me 6 pikë, Shqipëria është e treta në kuotën e 3 pikëve, ndërsa Kroacia renditet në vend të fundit me zero pikë. Objektivi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve është konfirmimi në Ligën B të këtij kompeticioni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb