Ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare ish-futbollisti i njohur i Elbasanit dhe futbollit shqiptar, Hekuran Jakupi. Pas një beteje të gjatë me sëmundjen, ish sulmuesi Jakupi nuk ia doli dot, duke lënë pas hidhërim tek të gjithë ata që e njohën nga afër dhe gjithë familjes së futbollit. Hekuran Jakupi do të mbahet mend si një ndër futbollistët më të mirë të viteve 90 ku dha kontribut me skuadrën e Elbasanit, Bylisit, Tiranës, Teutës apo Erzenit. Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, Jakupi ia kushtoi jetën përgatitjes së talenteve të rinj, ku së fundmi ishte trajner në AF Bajrami. Meashazheve ngushëlluese i është bashkuar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka:
Me hidhërim të madh mora lajmin e ndarjes nga jeta të Hekuran Jakupit, ish-sulmuesit që bëri mijëra tifozë të festonin golat e tij gjatë kohës që mbronte ngjyrat e skuadrave të ndryshme si Elbasani, Teuta, Tirana, Erzeni dhe Bylisi.
Futbolli shqiptar humbi një njeri pasionant gjatë kohës që luante në fushë. Me të njëjtin pasion ai vijoi të përkushtohej në botën e futbollit, duke punuar në përgatitjen e brezave të rinj si trajner.
Në emrin tim dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të Hekuranit!
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!